Macron paralajmëron masa të forta pas trazirave në Francë: Protestat e paautorizuara mund të ndalohen
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se trazirat e fundit që përfshinë disa qytete të Francës ishin të organizuara nga grupe të ekstremit të majtë, të cilat sipas tij synojnë të minojnë institucionet e Republikës Franceze.
Pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Pallatin Elysee, Macron tha se një pjesë e sulmeve dhe akteve të dhunshme ishin të planifikuara dhe përbënin rrezik serioz për rendin publik. Ai njoftoi se autoritetet do të ndërmarrin masa më të forta sigurie për protestat e ardhshme.
Sipas presidentit francez, protestat që nuk organizohen nga sindikata ose struktura të njohura mund të ndalohen në ditët në vijim. Qeveria po shqyrton gjithashtu krijimin e itinerareve të posaçme për marshimet e autorizuara, me qëllim mbrojtjen e dyqaneve, bizneseve dhe pronës publike.
Macron bëri të ditur se do të mbahet një tjetër mbledhje e Këshillit të Mbrojtjes për të vlerësuar situatën dhe për të vendosur masa shtesë para protestave të planifikuara për fundjavën.
Ai theksoi se hetimet do të vazhdojnë dhe se personat e përfshirë në dhunë do të përballen me drejtësinë. Sipas tij, mijëra persona janë ndaluar nga policia dhe qindra të tjerë janë burgosur pas përleshjeve që shpërthyen gjatë protestave.




