Autoritetet kosovare janë duke i hetuar dhjetë persona të dyshuar për kontrabandimin e mallrave në vlerë mijëra euro në veri të Kosovës.
Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se dhjetë të dyshuar u kapën të enjten gjatë një aksioni në veri dhe u sollën para gjykatës në një seancë dëgjimore dhe pastaj u liruan derisa hetimet ndaj tyre vazhdojnë.
Më herët, Prokuroria Themelore në Mitrovicë tha në një komunikatë se aksioni u zhvillua pas hetimeve gjashtëmujore. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar në përgjithësi më shumë se 22 automjete, si dhe mallra me vlerë mbi 200.000 euro, sipas njoftimit.
Në njoftim thuhet se hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Doganën e Kosovës, ka zbuluar dhe ndërprerë aktivitetin e dyshimtë të futjes së mallrave nga territori i Serbisë në territorin e Kosovës përmes rrugëve të jashtëligjshme.
Policia e Kosovës ka zhvilluar edhe më herët aksione kundër kontrabandës së mallrave nga Serbia përmes rrugëve “alternative” në veri, ku shumicën e popullsisë e përbëjnë serbët. Gjatë një aksioni të tillë, më 2021, pati edhe përleshje pas kundërshtimit të banorëve lokalë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
Me “rrugë alternative” në veri të Kosovës zakonisht nënkuptohen kalimet e jashtëligjshme të kufirit me Serbinë, të cilat me kalimin e kohës, në pjesën më të madhe, janë vënë nën kontrollin e policisë.
Në njoftimin e Prokurorisë në Mitrovicë sqarohet se, që nga muaji prill, gjatë hetimeve janë identifikuar sërish lokacionet dhe rrugët ilegale përmes të cilave mallrat futeshin në territorin e Kosovës.
“Prej majit deri në shtator të vitit 2026 janë zhvilluar më shumë se 20 aksione në zonat kufitare dhe në vendbanimet e komunave të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.
Ndër mallrat e kontrabanduara kishte produkte ushqimore, barna pa pulla akcize, pije, produkte higjienike dhe tekstile, sipas autoriteteve.
“Për këto mallra nuk dihen origjina, mënyra e ruajtjes dhe e transportit, as afati i përdorimit, për çka ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve. Njëkohësisht, aktivitete të tilla i shkaktojnë dëme buxhetit të shtetit dhe bizneseve që veprojnë në përputhje me ligjin”, thuhet më tej në njoftim.
Ndryshe, pas sulmit të armatosur në Banjskë, në vitin 2023, institucionet e Kosovës mbyllën më shumë se 20 rrugë alternative që besohet se çojnë drejt Serbisë./REL














