Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar si një akt të rëndë agresioni politik kërkesën e mazhorancës për përjashtimin e 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi.
Në një reagim p, ai akuzoi shumicën se po përpiqet të heshtë opozitën, duke e lidhur këtë nismë me frikën nga qytetarët dhe llogaridhënia.
“Përjashtimi i 20 deputetëve të PD-së nga Kuvendi është një akt i rëndë agresioni politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson.”
Sipas Bardhit, mazhoranca po tregon arrogancë dhe shpërfillje ndaj demokracisë parlamentare. Ai theksoi se deputetët e opozitës janë në Kuvend me mandatin e qytetarëve dhe jo me lejen e qeverisë.
“Kuvendi nuk është pronë e pushtetit dhe opozita nuk është në Kuvend me lejen e qeverisë, por me mandatin e qytetarëve!”
Bardhi akuzoi gjithashtu deputetë të mazhorancës për lidhje të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke pretenduar se opozita është në Kuvend për të denoncuar abuzimet dhe për t’i kërkuar llogari pushtetit. Ai theksoi se përjashtimi i deputetëve nuk do ta ndalë veprimtarinë e opozitës.
“Opozita nuk do të intimidohet, nuk do të heshtë dhe nuk do të tërhiqet përballë asnjë presioni politik. Demokracia nuk mbrohet duke përjashtuar kundërshtarët, por duke respektuar pluralizmin dhe vullnetin e qytetarëve.”