PDK letër presidentes Pula, kërkojnë rishqyrtimin në Kuvend të ligjit për Specialen

22 Tetor 2026 | 17:18

Partia Demokratike e Kosovës, PDK i ka dërguar këtë të enjte një letër zyrtare Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, përmes së cilës i kërkon rikthimin në Kuvend për rishqyrtim dhe për ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

PDK shton se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara.

Partia Demokratike e Kosovës gjithashtu u ka bërë thirrje të gjithë ekspertëve që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë edhe Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozimet e tyre konkrete gjatë procesit të rishqyrtimit.

Letra e plotë:

PDK i kërkon Presidentes rikthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend për rishqyrtim: Angazhimi ynë vazhdon deri në hyrjen e tij në fuqi

Prishtinë, 22 tetor 2026 – Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar sot Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Justina Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas konsultimeve të gjera, PDK-ja vlerëson se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara.

PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme.

Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme.

Ftojmë ekspertët që kanë shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, t’i paraqesin propozimet e tyre konkrete.

Presim që, ashtu siç e miratuam më 6 tetor 2026, ta miratojmë sërish brenda pak javësh, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe që do të kontribuojnë në finalizimin e tij.

Paralelisht, PDK-ja vazhdon angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për apelin, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen. Mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhet të ecin së bashku.

Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti nga Budva: Radoiçiç bredh i lirë dhe mbrohet nga Serbia, sulmi në Banjskë meriton përgjigje kolektive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë të enjte ka marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi. Kurti gjatë...
16:10 | 22/10/2026

Merz: Mungesa e dialogut Kosovë-Serbi po pengon përparimin e gjithë rajonit

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke theksuar se ngecja e dialogut...
12:58 | 22/10/2026

Kurti në Samitin e Berlinit: Koha që Kosova të hapë negociatat për në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar para mediave në Samitin e Procesit të Berlinit që po zhvillohet në Mal të Zi se Kosova ka...
11:06 | 22/10/2026