Airbnb ndryshon rregullat, pronarët e apartamenteve nuk mund t’iu kërkojnë më vizitorëve të… Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi të enjten se protestat që konsiderohen “të paligjshme” do të ndalohen në ditët në vijim, ndërsa fajësoi grupet e së majtës ekstreme dhe vandalët për trazirat dhe grabitjet e ndodhura fundjavën e kaluar.
Pas një takimi me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe ministrat e lartë të qeverisë, Macron tha se demonstratat e organizuara nga sindikatat dhe grupet e tjera do të lejohen, por autoritetet mund t’i devijojnë ato në rrugë alternative për të mbrojtur bizneset.
“Të shtunën e kaluar patëm akte politike dhe kryengritëse nga grupe të së majtës ekstreme, që synojnë rrëzimin e Republikës”, deklaroi Macron, shkruan “Reuters”.
Deklaratat e presidentit vijnë në një kohë kur autoritetet në të gjithë Francën po përgatiten për protesta të reja, pas një prej valëve më të rënda të trazirave urbane të viteve të fundit.
Autoritetet lokale njoftuan se të gjitha protestat e planifikuara për të shtunën në Lion, qytetin e dytë më të madh të Francës, janë ndaluar. Megjithatë, demonstrata të reja po organizohen në prag të një fundjave që zyrtarët druhen se mund të shoqërohet me tensione dhe dhunë.
Sindikatat kryesore studentore në Francë, përfshirë UNEF-in, kanë bërë thirrje për tubime të shtunën. Ndërkohë, lëvizja “Jelekët e Verdhë”, e cila u shfaq në vitin 2018 si një lëvizje kundër establishmentit politik, ka paraqitur kërkesë për organizimin e një marshimi në qendër të Parisit.
Bizneset në zonat qendrore të kryeqytetit kanë nisur të mbulojnë vitrinat e dyqaneve me dërrasa, nga frika e akteve të dhunës. Edhe grupi i produkteve luksoze Hermes bëri të ditur se ka shtuar masat e sigurisë në dyqanet e tij në Francë.
Në qytetin verior të Orleanit, autoritetet po përgatiten për trazira të mundshme, pasi Tubimi Kombëtar, partia e së djathtës ekstreme, pritet të zhvillojë takimin e saj vjetor, ndërsa sindikatat dhe grupet e majta kanë planifikuar demonstrata.
Një protestë studentore e parashikuar të mbahej të enjten në Paris u ndalua. Megjithatë, autoritetet e transportit mbyllën disa stacione metroje në qendër të kryeqytetit, në pritje të grumbullimeve të paautorizuara.
Franca u përfshi më 17 tetor nga trazira të rënda urbane, në periferi të protestave mbarëkombëtare. Ngjarjet nxorën në pah nivelin e lartë të pakënaqësisë publike dhe ngritën pikëpyetje mbi aftësinë e forcave të sigurisë për të garantuar rendin.
Sipas raportimeve të zyrtarëve francezë dhe mediave, dy persona janë arrestuar lidhur me një sulm me zjarr ndaj bashkisë së qytetit Limoges.
Ndërkohë, nata e tretë radhazi me orë policore lokale në zonat e prekura nga dhuna kaloi pa incidente madhore, duke i dhënë qeverisë një lehtësim të përkohshëm përpara fundjavës.
Përtej episodeve të dhunës, trazirat pasqyrojnë një krizë më të thellë sociale në Francë. Rritja e kostos së energjisë, presioni mbi buxhetet familjare dhe shqetësimet për përkeqësimin e shërbimeve publike kanë shtuar pakënaqësinë mes punonjësve dhe të rinjve.
Ndërkohë, skena politike franceze është përfshirë në një përplasje të ashpër akuzash, ku qeveria fajëson grupet politike të së majtës radikale për nxitjen e trazirave.
Tensionet politike dhe sociale po reflektohen edhe në tregjet financiare. Të enjten, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë franceze u rrit mbi nivelin e obligacioneve amerikane me të njëjtën maturim, për herë të parë që nga viti 2013.
Zhvillimet e fundit shtojnë presionin mbi qeverinë franceze, e cila po përpiqet të ruajë rendin publik, të menaxhojë pakënaqësinë sociale dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës përpara protestave të paralajmëruara për fundjavën.
Top Channel