Institucioni i Avokatit të Popullit në krizë financiare, Selami: Kemi probleme edhe me pagesën e qirasë
Institucioni i Avokatit të Popullit përballet me vështirësi financiare dhe probleme edhe me pagesën e qirasë për shkak të mungesës së mjeteve.
Avokati i Popullit, Faton Selami, shpreson që me rishikimin e ardhshëm të buxhetit ose me vendim të Qeverisë të sigurohen mjete shtesë.
Ai kërkon edhe punësime të reja, pasi institucioni vazhdimisht po humb kuadro, ndërsa kërkesat e drejtuara Ministrisë së Financave deri më tani janë refuzuar.
Ndërkohë, ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit synojnë të sigurojnë pavarësi më të madhe financiare, funksionale dhe organizative të institucionit.
Sipas Selamit, këto ndryshime janë kusht për aplikimin për akreditim me statusin A, pasi Maqedonia e Veriut aktualisht ka statusin B.
Propozimet parashohin që, në rast mospajtimi për buxhetin mes institucionit dhe Ministrisë së Financave, vendimin përfundimtar ta marrë Kuvendi.
Gjithashtu, parashihet mundësia e formimit të një këshilli për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me përfaqësues nga komuniteti akademik dhe sektori civil.





























