Abdixhiku kritikon PDK-në për kërkesën ndaj Ligjit për Specialen: Çfarë do të bëni me baltën ndaj LDK-së?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kërkesës së grupit parlamentar të PDK-së drejtuar presidentes Justina Shiroka-Pula, për kthimin në Kuvend dhe rishqyrtimin e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Abdixhiku ka ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhë me akuzat dhe sulmet që, sipas tij, iu drejtuan LDK-së pas qëndrimit të saj për këtë ligj.

Të lidhura

None found

“Ligji u kthye, por çfarë do të bëni me baltën që hodhët mbi LDK-në? Ku do ta lini atë?

Na ofenduat dhe na quajtët tradhtarë. Shkuat deri aty sa LDK-në e paraqitët si kundërshtare të UÇK-së, ndërsa emrat tanë i vendosët pranë atyre të Listës Serbe, vetëm sepse shprehëm një të vërtetë që nuk dëshironit ta dëgjonit. Ky ligj nuk ka pasur dhe nuk do të ketë asnjë pasojë juridike.

LDK-ja nuk hoqi dorë nga qëndrimi i saj, edhe pse e dinte se do të përballej me sulme. Përgjegjësia ndaj Republikës na kërkon të themi atë që e konsiderojmë të drejtë, edhe atëherë kur është më e lehtë të ndjekësh zhurmën e përgjithshme.

Mbështetësve tanë u themi të qëndrojnë gjithmonë krenarë. Mund të goditemi nga çdo drejtim, por qëndrimet e LDK-së e kanë kaluar sprovën e historisë dhe do ta kalojnë përsëri. Ato nuk formësohen nga emocionet e çastit, por nga bindjet që kemi për Republikën. Për këtë, nevojitet vetëm kohë.

Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Ajo mbrohet përmes punës dhe arsyes, jo në këtë mënyrë”, shkroi Abdixhiku në Facebook.


Shtuar më 22.10.2026 18:20

Quantcast