Një kujdestare është dënuar me gjashtë vite burg nga gjykata e Ankonës në Itali, pasi u shpall fajtore për përvetësimin e mbi 600 mijë eurove nga një e moshuar 94-vjeçare, për të cilën kujdesej. Përveç parave, ajo kishte përfituar edhe nga pasuria e gruas, përfshirë dy apartamente në zonën turistike të Rivierës së Koneros.
Në këtë çështje është dënuar edhe partneri i kujdestares, me pesë vite burg, për përfshirjen e tij në skemën për përfitimin e pasurisë së të moshuarës.
Sipas hetimeve, çifti e kishte nisur planin në shkurt të vitit 2020. Brenda disa muajsh, deri në nëntor të po atij viti, kujdestarja dyshohet se kishte tërhequr gradualisht shuma të mëdha parash nga llogaritë bankare të 94-vjeçares, e cila ishte e veja e një avokati të njohur në Ankona.
Por përfitimet nuk u kufizuan vetëm te llogaritë bankare. Sipas dosjes hetimore, kujdestarja kishte ushtruar presion dhe kishte ndikuar te gruaja e moshuar, duke arritur të bëhej përfituese e policave të sigurimit të jetës me vlerë mbi një milion euro.
Ajo ishte emëruar gjithashtu trashëgimtare universale e 94-vjeçares, çka i mundësonte të përfitonte edhe dy apartamente në Rivierën e Koneros. Vlera e përgjithshme e pasurisë së përfshirë në çështje i kalonte dy milionë eurot.
Parregullsitë u zbuluan fillimisht nga Guardia di Finanza, policia financiare italiane. Në shtator të vitit 2020, kjo strukturë vuri në lëvizje hetimet e Prokurorisë së Ankonës.
Gjatë procesit, një ekspertim gjyqësor kishte vlerësuar se e moshuara ishte në gjendje të kuptonte dhe të vepronte. Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se ajo ndodhej në një gjendje të veçantë brishtësie dhe cenueshmërie, ndërsa varësia nga kujdestarja kishte ndikuar në aftësinë e saj për të marrë vendime të lira për pasurinë dhe trashëgiminë.
Ndërkohë, trashëgimtarët e ligjshëm të 94-vjeçares kishin arritur më herët, përmes një procesi civil, të siguronin anulimin e testamentit që e përcaktonte kujdestaren si trashëgimtare universale.
E moshuara ndërroi jetë në maj të vitit 2025, pa arritur të shihte përfundimin e procesit gjyqësor. Vendimi i gjykatës së Ankonës mbyll një çështje që përfshinte përvetësimin e shumave të mëdha të parave dhe përfitimin e pasurive të një personi të moshuar në kushte cenueshmërie.

