Kompanitë dhe qeveritë në mbarë botën kanë nisur një operacion urgjent për të korrigjuar dobësitë kritike të sigurisë në PHP, një nga gjuhët e programimit që mbështet një pjesë të madhe të internetit.
Njoftimi për këto dobësi është pasuar nga miliona tentativa sulmesh kibernetike, ndërsa disa shtete dhe organizata kanë mbyllur përkohësisht faqet e internetit dhe shërbimet online si masë paraprake.
Drejtori ekzekutiv i Cloudflare, Matthew Prince, bëri të ditur se tentativa për shfrytëzimin e dobësive u shtuan me shpejtësi pas publikimit të informacionit.
Sipas tij, në 10 orët para njoftimit ishin regjistruar mijëra tentativa në rrjetin e kompanisë, numër që u rrit në dhjetëra mijëra brenda 45 minutash, në qindra mijëra brenda dy orësh dhe më pas në miliona, përcjell Reuters.
Megjithatë, këto shifra i referohen përpjekjeve për sulm dhe nuk nënkuptojnë se të gjitha kanë qenë të suksesshme.
Zhvilluesit e PHP-së publikuan përditësime sigurie të mërkurën, duke u kërkuar përdoruesve të instalojnë menjëherë versionet e korrigjuara. Dobësitë, të cilat sipas raportimit u zbuluan me ndihmën e inteligjencës artificiale, kishin qëndruar të pazbuluara për vite me radhë.
Madeline Lawrence, bashkëthemeluese e kompanisë belge të sigurisë kibernetike Aikido Security, tha se detajet e problemeve u bënë publike përpara se të gjitha sistemet të ishin gati për t’u mbrojtur, duke u dhënë sulmuesve mundësinë të vepronin.
Pasojat janë ndier në disa vende. Në Japoni, kompani financiare, banka, linja ajrore dhe operatorë hekurudhorë pezulluan përkohësisht disa shërbime online.
Masa të ngjashme morën edhe institucione shtetërore, përfshirë Ministrinë e Financave dhe Agjencinë Kombëtare të Taksave.
Në Francë, grupi i telekomunikacionit Orange kufizoi përkohësisht aksesin në disa faqe dhe aplikacione që përdorin PHP, ndërsa Finlanda bllokoi përkohësisht shërbimet publike në internet për të instaluar përditësimet e sigurisë.
Kreu i Microsoft, Satya Nadella, e përshkroi situatën si një ngjarje të pazakontë për nga përmasat.
“Nuk kam parë diçka të tillë prej shumë kohësh”, u shpreh ai gjatë një aktiviteti në Gjermani, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të programeve që mund të mirëmbahen dhe sigurohen edhe kur sistemet bëhen gjithnjë e më komplekse.
Autoritetet në Kinë dhe Korenë e Jugut kanë kërkuar kontrolle të sistemeve dhe forcim të masave mbrojtëse.
Ndërkohë, rikthimi i shërbimeve të pezulluara mund të zgjasë nga disa ditë deri në javë, pasi përveç instalimit të përditësimeve, sistemet duhet të testohen me kujdes.
Sipas autoriteteve finlandeze, ndërprerjet e shërbimeve në vend nuk erdhën si pasojë e shfrytëzimit të dobësive dhe nuk kishte prova për sulme aktive të suksesshme.