Rama kërkon dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve, ministrat nisin procesin e largimeve

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave të ndërmarrin hapat për largimin e drejtuesve të institucioneve që janë nën varësinë e tyre, në një periudhë kur qeveria po përballet me protesta dhe pakënaqësi nga qytetarët.

Burime bëjnë të ditur se Rama i ka telefonuar ministrat nga Budva dhe u ka kërkuar të zhvillojnë takime me drejtuesit e institucioneve në varësi, për t’u kërkuar atyre dorëheqje të parevokueshme.

Të lidhura

None found

Vendimi pritet të bëhet publik nga kryeministri në ditët e ardhshme. Ende nuk dihet nëse kjo nismë synon të zbusë zemërimin e protestuesve apo lidhet me mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Gjatë daljeve të fundit publike, Rama ka shprehur kritika të forta ndaj administratës.

Një javë më parë, ai paralajmëroi masa ndaj drejtuesve të administratës që nuk respektojnë afatet për t’u kthyer përgjigje qytetarëve dhe për të trajtuar problematikat e tyre.

“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, deklaroi Rama.


Shtuar më 22.10.2026 19:08

Quantcast