Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ministrave të tij të ndërmarrin shkarkime në drejtimin e institucioneve dhe agjencive që janë në varësi të dikastereve përkatëse. Porosia u është përcjellë anëtarëve të kabinetit qeveritar gjatë ditës së sotme, ndërsa kreu i qeverisë ndodhej në Budva.
Vendimi pritet të bëhet publik nga Rama në ditët në vijim, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura arsyet konkrete të kësaj lëvizjeje, numri i drejtuesve që mund të largohen apo institucionet që do të preken nga ndryshimet.
Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse kërkesa për shkarkime lidhet me protestat e fundit apo është pjesë e një riorganizimi të administratës dhe përgatitjeve për zhvillime të mundshme politike, përfshirë zgjedhjet e parakohshme.
Porosia e kryeministrit vjen pas kritikave që ai u ka drejtuar në daljet e fundit publike drejtuesve të administratës shtetërore. Rreth një javë më parë, Rama paralajmëroi masa ndaj zyrtarëve që vonojnë përgjigjet ndaj qytetarëve dhe nuk trajtojnë brenda afateve të përcaktuara problematikat që u adresohen institucioneve.
Pritet që në ditët e ardhshme të mësohen më shumë detaje për shtrirjen e ndryshimeve dhe emrat e drejtuesve që mund të largohen nga detyra.

