Airbnb ka vendosur kufizime të reja për detyrat që pronarët e banesave me qira mund t’u kërkojnë vizitorëve para largimit. Sipas rregullave të përditësuara, pritësit nuk do të mund t’u kërkojnë mysafirëve që paguajnë tarifë pastrimi të kryejnë punë që zakonisht u takojnë pastruesve, si larja e enëve, heqja e çarçafëve apo nxjerrja e mbeturinave jashtë pronës.
Ndryshimet do të hyjnë në fuqi për të gjitha rezervimet e kryera në platformë nga 20 nëntori. Airbnb do t’u lejojë pronarëve të përcaktojnë shtatë rregulla standarde për banesat e tyre, si dhe të vendosin kërkesa të tjera, për sa kohë ato konsiderohen të arsyeshme.
Në udhëzimet e publikuara në faqen zyrtare, kompania sqaron se vizitorëve nuk duhet t’u kërkohet të kryejnë detyra që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje, apo që normalisht realizohen nga personeli i pastrimit.
Vendimi vjen pas ankesave të përdoruesve, të cilët kanë ngritur shqetësime për rregullat e banesave, duke i cilësuar ato shpesh konfuze, të lodhshme dhe të vështira për t’u zbatuar.
“Rregullat e shtëpisë i ndihmojnë vizitorët të kuptojnë se çfarë presin pronarët prej tyre, por kemi dëgjuar nga komuniteti ynë se ato mund të jenë konfuze, të rënda dhe të vështira për t’u menaxhuar”, deklaroi Airbnb për BBC-në.
Për t’i bërë kërkesat më transparente, rregullat e banesave do të shfaqen më dukshëm në platformë dhe do të përfshihen edhe në kujtesat që u dërgohen vizitorëve për rezervimet e tyre.
Megjithatë, parashikohen disa përjashtime. Në zonat që përballen me thatësirë dhe kufizime të furnizimit me ujë, për shembull, pronarëve mund t’u lejohet t’u kërkojnë mysafirëve të kufizojnë kohën e qëndrimit në dush.
Edhe kontratat shtesë do të lejohen vetëm në rrethana të kufizuara, përfshirë rastet kur ato kërkohen nga ligji ose nga rregullat e shoqatave të pronarëve të banesave.
Airbnb ka sqaruar gjithashtu se pritësit nuk do të mund të vendosin gjoba ndaj vizitorëve, por do të ruajnë të drejtën të përcaktojnë rregullat e pronës brenda kufijve të politikave të platformës. Nëse një kërkesë bie ndesh me këto politika, ajo do të sinjalizohet dhe pronari do të ketë mundësi të paraqesë ankesë kundër vlerësimit.
Për vite me radhë, përdoruesit e platformës janë ankuar për detyrat që u kërkohen para largimit nga banesat, veçanërisht kur duhet të paguajnë edhe tarifa të veçanta pastrimi.
Debati është rikthyer në vëmendje pas përhapjes në TikTok të videove të një çifti pritësish, Cassie dhe Jon, të cilët tregojnë se si kontrollojnë me imtësi banesën e tyre me qira në shtetin amerikan të Xhorxhias, pasi largohen mysafirët.
Në njërën prej videove, çifti i kritikon vizitorët për mosrespektimin e rregullave, pasi kishin lënë telekomandën e televizorit jashtë vendit të saj. Pamjet shkaktuan reagime negative në rrjetet sociale, ku shumë përdorues i cilësuan kërkesat e pritësve të tepruara. Çifti, nga ana tjetër, është mbrojtur duke pretenduar se videot e tyre janë keqinterpretuar.
Rasti frymëzoi edhe krijues të tjerë të përmbajtjes, të cilët publikuan parodi për të ironizuar pritësit që u vendosin mysafirëve rregulla tepër të rrepta.
Me ndryshimet e reja, Airbnb synon të qartësojë përgjegjësitë e vizitorëve dhe të kufizojë kërkesat e tepërta për pastrim, sidomos në rastet kur ata paguajnë një tarifë të veçantë për këtë shërbim.

