Me 77 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi projektligjin për ndryshimet në ligjin e vitit 2016 për të drejtat e autorit. Projektligji u miratua sipas draftit final të dorëzuar nga Komisioni për Kulturën, Turizmin, i drejtuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa; vetë Zhupa nuk mori pjesë në votim, duke ndjekur bojkotin e opozitës.
Sipas ndryshimeve, platforma si YouTube, Facebook, TikTok dhe shërbime të tjera digjitale duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura dhe të reagojnë kur konstatohet shkelje e së drejtës së autorit. Për herë të parë parashikohet edhe detyrimi për platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri pa seli lokale të kenë një përfaqësues ligjor në vend.
Ligji forcon pozicionin e autorëve në kontrata, duke u garantuar atyre të drejtën për t’u informuar mbi mënyrën se si përdoren veprat e tyre dhe mbi të ardhurat që gjenerojnë. Autorët do të kenë gjithashtu të drejtën të kërkojnë rishikimin e kontratave kur konsiderojnë se shpërblimi është i padrejtë.
Ndryshime janë parashikuar edhe në tregun e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, me synimin për krijimin e më shumë konkurrencë dhe më shumë mundësi zgjedhjeje për krijuesit. Këto ndërhyrje synojnë të përmirësojnë menaxhimin dhe ndarjen e të ardhurave nga përdorimi i veprave të mbrojtura.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxha, njoftoi se do të riorganizohet struktura përgjegjëse për drejtorinë e të drejtës së autorit brenda ministrisë. Sipas tij, do të krijohet një njësi e dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit në fushën digjitale dhe do të shtohen 11 punonjës për të garantuar zbatimin e kompetencave të reja që sjell ligji.
Teksti i ndryshimeve përcakton, sipas njoftimeve zyrtare, që ligji synon të mbrojë më mirë krijuesin shqiptar dhe të vendosë më shumë përgjegjësi mbi platformat në përputhje me standardet europiane.
