Gruda mbron Ligjin për Specialen: Nuk ka asnjë gabim, qëndroj prapa çdo shkronje të tij

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk përmban asnjë gabim, duke mbrojtur punën e tij dhe të ekipit që e ka hartuar.
Reagimi i tij vjen pasi presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, vendosi ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, pas kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së.
Gruda ka thënë se ligji është hartuar pas konsultimeve të nevojshme dhe se qëndron plotësisht prapa përmbajtjes së tij.
“Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk ka asnjë gabim. Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet”, ka shkruar Gruda në Facebook.
Ai ka theksuar se do të vazhdojë ta mbrojë ligjin dhe qëllimin për të cilin është hartuar, duke shprehur preferencën që debati aktual të ishte përqendruar te zbatimi i tij dhe jo te rihapja e çështjes.
“Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të. Megjithatë, nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”, ka deklaruar ai.
Deputeti i PDK-së ka shtuar se çdo hap i mëtejshëm duhet të kontribuojë në drejtësi të pavarur dhe në mbrojtjen e karakterit çlirimtar të luftës së UÇK-së.
“Unë nuk tërhiqem nga bindja ime, nuk distancohem nga puna ime dhe nuk heq dorë nga qëllimi për të cilin ky ligj u hartua. Çdo hap i mëtejshëm duhet të na afrojë drejt një drejtësie të pavarur që e mbron luftën tonë të drejtë çlirimtare, jo të na largojë prej saj”, ka shkruar Gruda.
PDK-ja i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula rikthimin e ligjit në Kuvend për rishqyrtim, me arsyetimin se disa dispozita duhet të verifikohen dhe plotësohen për të forcuar sigurinë juridike dhe për të garantuar të drejtat kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë./Telegrafi/








































