Shkencëtarët në rolin e “detektivëve të artit”/ Rishikohet data e pikturës ikonike “Nata me yje” e Van Gogh-ut
Shkencëtarët koreano-jugorë sugjerojnë se piktura e famshme “Nata me yje” e Vincent van Gogh nuk është pjellë e imagjinatës, por bazohet në qiellin real të korrikut të vitit 1889.
Një ekip kërkuesish nga Korea e Jugut ka paraqitur një datë të re për qiellin e natës të paraqitur në kryeveprën e famshme të piktorit holandez Vincent van Gogh, “Nata me yje” (The Starry Night).
Historianët e artit kanë besuar gjatë se yjet dhe qielli me valëzime ishin pjellë e fantazisë së artistit ose e kishin datuar skenën në qershor të vitit 1889, bazuar në vendndodhjen e tij. Megjithatë, detajet astronomike, si e hëna në formë drapri, nuk përputheshin me atë periudhë.
Pas viteve të tëra kërkimesh mbi astronominë dhe letrat e artistit, ekipi jugkorean doli në përfundimin se piktura përputhet me qiellin e gdhirjes mbi Saint-Rémy-de-Provence në Francë, pikërisht rreth datës 22 korrik 1889 — një muaj më vonë se periudha e prandauar deri më sot.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports, udhëhiqet nga Elijah Jeong-hyun Kim, CEO i një kompanie teleskopësh në Seul dhe kandidat për doktoraturë në Universitetin Kyung Hee.
“Asnjë dy qiej nuk janë të njëjtë. Diçka ndryshon gjithmonë. Besoj se Vincenti i vuri re ato ndryshime dhe i hodhi në pikturë. Jam i bindur se 22 korriku është data më e saktë,” deklaroi Kim.
Forma e Hënës dhe planetët: Në mes të qershorit 1889, hëna nuk kishte formën e hollë të drapërit që ka pikturuar Van Gogh. Ekipi zbuloi se rreth 22 korrikut 1889, forma e hënës para agimit përputhej saktësisht me atë në pikturë, së bashku me grumbullin e yjeve Hyades në yllësinë e Demit dhe planetin Afërditë (Venera).
Analizat klimatike të kërkuesve treguan se qielli në atë periudhë ka qenë mjaft i kthjellët për t’i lejuar piktorit këtë pamje.
Analiza e letrave midis piktorit dhe vëllait të tij përmend cicërimat e bulkthave (cicadas), një detaj që tregon për ditët më të nxehta të korrikut dhe jo të qershorit.
Vincent van Gogh e realizoi pikturën nga studiot e tij në spitalin psikiatrik të Saint-Rémy-de-Provence, ku u shtrua pasi kishte prerë veshin e tij të majtë gjatë një debati me piktorin Paul Gauguin.
Edhe pse disa fizikanë dhe ekspertë sugjerojnë se qielli mund të jetë një kombinim kujtimesh nga disa net të ndryshme, zbulimi vërteton një mesazh kryesor: Piktura nuk është fantazi e pastër, por tregon se Van Gogh e ka vëzhguar me shumë kujdes qiellin real.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



