Thursday / October 22 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi Western Balkans Monitor

Rajoni mund të afrohet me BE-në përmes një modeli të ngjashëm me Zonën Ekonomike Europiane

Share Share Icon

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, mund të afrohen më shumë me Bashkimin Europian edhe përpara anëtarësimit të plotë, përmes një modeli më të thellë asociimi, të ngjashëm me Zonën Ekonomike Europiane (EEA), vlerëson instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (wiiw).

Në studimin e fundit “Anëtarësimi dhe aftësitë e BE-së për të vepruar në rrafshin gjeopolitik”, të publikuar në shtator 2026, studiuesi i wiiw, Hubert Gabrisch, analizon debatin për të ashtuquajturin “anëtarësim të asociuar”, të ngritur fillimisht në lidhje me Ukrainën, dhe mundësinë e aplikimit të formave më të thella të integrimit edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas wiiw, sfida kryesore për zgjerimin e ardhshëm nuk lidhet vetëm me pranimin e vendeve të reja, por edhe me aftësinë e BE-së për të marrë vendime. instituti vëren se në fusha të rëndësishme si politika e jashtme, siguria, mbrojtja dhe pranimi i anëtarëve të rinj vazhdon të zbatohet parimi i unanimitetit, duke i dhënë çdo shteti anëtar mundësinë e vetos.

wiiw argumenton se zgjerimi pa reforma të brendshme të BE-së mund ta bëjë vendimmarrjen edhe më të vështirë. Për këtë arsye, sipas raportit, zgjerimi dhe reforma institucionale e Unionit duhet të shihen si procese të lidhura.

Skepticizëm për “anëtarësimin e asociuar”

Raporti shpreh rezerva ndaj idesë së krijimit të një statusi të posaçëm të “anëtarit të asociuar”, që do t’u jepte vendeve kandidate më shumë mundësi pjesëmarrjeje në institucionet europiane, por pa të drejta të plota vote.

Sipas wiiw, traktatet aktuale të BE-së bëjnë një dallim të qartë mes asociimit dhe anëtarësimit dhe nuk parashikojnë një kategori të ndërmjetme të mirëpërcaktuar juridikisht. Wiiw vlerëson gjithashtu se një status anëtarësimi pa të drejtë vote mund të perceptohej nga vendet e reja si status i dorës së dytë dhe të krijonte pasiguri ligjore për vetë procesin e negociatave.

Wiiw propozon integrim më të thellë para anëtarësimit

Në vend të krijimit të një forme të re “anëtarësimi të asociuar”, wiiw sugjeron forcimin e marrëveshjeve ekzistuese të asociimit dhe afrimin e tyre me modelin e Zonës Ekonomike Europiane.

Sipas raportit, modeli EEA u mundëson vendeve jo-anëtare të marrin pjesë gjerësisht në tregun e brendshëm europian dhe të përfshihen në procesin e përgatitjes së politikave, pa pasur të drejtë vote në institucionet e BE-së.

wiiw e përkufizon këtë praktikë si një formë të “integrimit përpara anëtarësimit”. Vendet e EEA-s zbatojnë pjesë të rëndësishme të legjislacionit të BE-së dhe përfaqësuesit e tyre mund të marrin pjesë në grupe ekspertësh dhe komitete të Komisionit Europian, si dhe të paraqesin komente për nismat legjislative.

Çfarë do të nënkuptonte për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor

Wiiw vëren se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë tashmë Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, të hartuara si një fazë kalimtare drejt anëtarësimit. Këto marrëveshje mbulojnë fusha si dialogu politik, tregtia e lirë, lëvizja e punëtorëve dhe shërbimeve, kapitalet dhe bashkëpunimi në drejtësi, liri dhe siguri.

Megjithatë, sipas wiiw, vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk kanë të drejtë vote në institucionet e BE-së dhe nuk marrin pjesë në grupet e ekspertëve dhe komitetet që trajtojnë politikat e brendshme të Unionit në mënyrën që e bëjnë vendet e EEA-s.

Për Shqipërinë, një thellim i tillë i asociimit do të mund të sillte integrim më të madh ekonomik dhe institucional me BE-në përpara anëtarësimit të plotë. Por wiiw nuk e paraqet këtë si alternativë përfundimtare ndaj anëtarësimit.

Modeli mund të ndihmojë edhe në përshpejtimin e negociatave

Studimi i institutit të Vjenës argumenton se reforma e brendshme e BE-së mbetet zgjidhja kryesore për të pajtuar zgjerimin me aftësinë e Unionit për të marrë vendime. Deri atëherë, instituti sugjeron se marrëveshjet e asociimit të vendeve kandidate mund të përmirësohen duke i afruar me modelin e EEA-së.

Si precedent, wiiw përmend Austrinë, e cila aplikoi për anëtarësim në Komunitetin Europian në vitin 1989, nisi negociatat në vitin 1993, hyri në Zonën Ekonomike Europiane në vitin 1994 dhe u bë anëtare e BE-së në vitin 1995.

Sipas wiiw, ky rast tregon se një fazë e integrimit ekonomik përpara anëtarësimit mund të ndihmojë edhe në përshpejtimin e negociatave të aderimit.

Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, propozimi i analizuar nga wiiw nënkupton, në thelb, një mundësi për t’u integruar më thellë në strukturat ekonomike dhe institucionale europiane gjatë pritjes për anëtarësim, pa hequr dorë nga objektivi i anëtarësimit të plotë në BE./B.Hoxha

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Mungesë mësuesish dhe mjekësh në BE; në Shqipëri, 95% e bizneseve hasin vështirësi në rekrutim

Mësuesit, profesionistët e shëndetësisë dhe specialistët e teknologjisë së informacionit janë profesionet me mungesat më të mëdha të fuqisë punëtor...

5 hours më parë 4 Min Lexim

Paralajmëroi më herët për klimën e biznesit, Dhoma Amerikane: Pasiguria po dëmton investimet

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka ngritur shqetësimin për përkeqësimin e klimës së biznesit dhe pasojat që zhvillimet e fundit në ...

6 hours më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!