SHBA akuzon Rusinë për afrim në mënyrë të rrezikshme të satelitit ushtarak

22 Tetor 2026 | 20:36

Zyrtarët amerikanë akuzuan publikisht Rusinë se ka kërcënuar një satelit komercial, që operohet nga Finlanda dhe i cili ofron imazhe dhe informacione të inteligjencës për Ukrainën dhe vende të tjera, duke e cilësuar këtë veprim si “qëllimisht të pamatur”.

Në përgjigje të akuzave, të bëra gjatë një debati në Kombet e Bashkuara më 21 tetor, Rusia i cilësoi në përgjithësi pretendimet amerikane si “absurde” dhe e akuzoi Uashingtonin për “ambiciet e veta agresive ushtarake në hapësirë”.

Shkëmbimi i akuzave ndodhi disa ditë pasi një satelit ushtarak rus, i njohur si Kosmos-2612, iu afrua “në mënyrë të rrezikshme” satelitit ICEYE-X36, i cili është i regjistruar në Shtetet e Bashkuara dhe operohet nga kompania finlandeze ICEYE.

Sateliti rus u afrua “jashtëzakonisht shumë” – sipas disa vlerësimeve deri në 200 metra – një distancë që zyrtarët e hapësirës dhe dhe vëzhguesit amatorë të satelitëve e cilësuan si tejet të pazakontë.

“Ky nuk ishte një afrim rutinë apo një ‘kalim pranë’”, tha për Radion Evropa e Lirë LeoLabs, një kompani e inteligjencës hapësinore. “Sjellja përkon me operacione të sofistikuara të takimit dhe afrimit në hapësirë”.

ICEYE-X36 është i pajisur me teknologji radari që mundëson mbledhjen e imazheve të detajuara të sipërfaqes së Tokës, edhe nëse ka re. Në janar, kompania finlandeze nënshkroi një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes së Ukrainës për ofrimin e informacioneve të inteligjencës.

Sateliti Kosmos-2612 “shfaqi sjellje kërcënuese duke manovruar qëllimshëm në mënyrë të rrezikshme pranë një sateliti komercial”, tha Brian Hardesty, këshilltar i delegacionit amerikan në Konferencën për Çarmatimin, gjatë një takimi në Nju Jork të Komitetit të Parë të OKB-së, organ ku diskutohen çështjet e kontrollit të armëve dhe çarmatimit.

“Ky veprim duket se përkojnë me një operacion të përdorimit të armëve në orbitë”.

“Vendimi për t’i ndërmarrë këto veprime ishte qëllimisht i pamatur”, tha ai.

Përfaqësuesi i Rusisë, identiteti i të cilit nuk mund të përcaktohej menjëherë, nuk iu përgjigj drejtpërdrejt këtij pretendimi.

“I bëjmë thirrje shteteve anëtare që të kenë përgjigjen e duhur ndaj ambicieve agresive ushtarake të Shteteve të Bashkuara në hapësirë”, tha ai.

Ai iu referua po ashtu komenteve të bëra muajin e kaluar nga sekretari i Forcave Ajrore të SHBA-së, zyrtari më i lartë civil i kësaj dege ushtarake.

Komentet e Troy Meink, të bëra gjatë një konference në periferi të Uashingtonit, se SHBA-ja veçse ka vendosur armë në hapësirë – “armë të kontrollit të hapësirës në orbitë, të afta për të mbrojtur Forcat e Përbashkëta nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve” – shkaktuan habi në mesin e ekspertëve të politikave.

Megjithatë, vëzhgues të tjerë që e ndjekin që një kohë të gjatë veprimtarinë në hapësirë thanë se njoftimi thjesht bëri publike atë që kishte qenë e qartë prej kohësh.

“Shtetet e Bashkuara nuk e armatosën papritur hapësirën duke pranuar se i zotërojnë këto kapacitete”, shkroi Mallory Stewart, ish-zyrtare e lartë për kontrollin e armëve në Departamentin amerikan të Shtetit. “Gara e armatimit në hapësirë është zhvilluar prej vitesh”.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Sindikatat portugeze dhe spanjolle në bisedime për organizimin e një ‘greve të përgjithshme iberike’

Sindikatat portugeze dhe spanjolle janë në kontakt me qëllim organizimin e një “greve të përgjithshme iberike”. Kështy njoftoi të enjten sekretari i përgjithshëm i CCOO,...
20:24 | 22/10/2026

Pas samitit Trump-Xi, SHBA-ja ende pa zgjidhje për mineralet kritike

Kur u takuan në Uashington muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, nuk arritën pajtim për një nga çështjet më...
19:59 | 22/10/2026

Protesta në Poloni kundër bllokimit të reformave të ligjit për abortin

Gratë në Poloni po protestojnë në më shumë se 20 qytete kundër kufizimeve në aksesin ndaj abortit falas dhe ligjor. Protestuesit akuzojnë qeverinë liberale të...
19:43 | 22/10/2026