Një tërmet me magnitudë 7.0 ballë ka goditur Tibetin, në Kinën perëndimore, duke ngritur shqetësime për pasojat në zonën e prekur.

Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), lëkundjet u regjistruan në orën 22:30 me kohën lokale. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 183 kilometra në lindje-verilindje të qytetit Nagqu, në Rajonin Autonom të Tibetit.

Megjithatë, deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për viktima, persona të plagosur apo përmasat e dëmeve materiale.

Kina është një nga vendet që përballet shpesh me tërmete të fuqishme, veçanërisht në pjesën jugperëndimore të saj. Rajoni karakterizohet nga aktivitet i lartë sizmik për shkak të përplasjes së pllakës tektonike indiane me atë euroaziatike, proces që ka formuar vargmalet e Himalajeve dhe pllajën e Tibetit.

Tërmetet e mëdha kanë shkaktuar pasoja të rënda në Kinë edhe në vitet e fundit. Në janar të vitit 2024, një lëkundje me magnitudë 7.1 goditi një zonë malore të rajonit Xinjiang, duke shkaktuar tre viktima dhe dhjetëra të plagosur.

Ndërsa në dhjetor të vitit 2023, një tjetër tërmet në qarkun Jishishan, në provincën Gansu, u mori jetën më shumë se 100 personave.