Gjykata e Tiranës ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë për personat e arrestuar, të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës.
Ajo ka konstatuar të paligjshëm arrestimin në flagrancë të 17 personave të ndaluar gjatë protestës, duke urdhëruar lirimin e tyre dhe moscaktimin e masave të sigurisë.
Ndërkohë, për disa persona të tjerë, pavarësisht se arrestimi është vlerësuar i ligjshëm ose i paligjshëm, është caktuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Në total Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu, 22 protestues që ishin pjesë e tubimeve që u shoqëruan me tensione.
Njoftimi
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka shqyrtuar kërkesat e Prokurorisë lidhur me personat e arrestuar, të dyshuar për vepra penale që lidhen me organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme, kundërshtimin e punonjësve të policisë së rendit publik dhe, në disa raste, shkatërrimin e pronës.
Sipas vendimeve të paraqitura, për personat A. R., A. B., D. L., G. B., A. L., Y. I., Rr. Ç. dhe A. S., gjykata ka konstatuar të paligjshëm arrestimin në flagrancë, ka rrëzuar kërkesat për caktimin e masave të sigurisë dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.
Të njëjtin vendim gjykata ka marrë edhe për personin L. M., si dhe për disa të tjerë të përfshirë në një vendim të veçantë, mes tyre A. B., F. L., Dh. H., B. T. dhe K. P. Për këta persona është vendosur moscaktimi i masave të sigurisë dhe lirimi i menjëhershëm, nëse nuk ka arsye të tjera ligjore për mbajtjen e tyre.
Ndërkohë, për personat T. T. dhe F. M., arrestimi në flagrancë është vlerësuar i ligjshëm, por gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Ata duhet të paraqiten në Prokurorinë pranë Gjykatës së Tiranës të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00.
Në një vendim tjetër, e njëjta masë sigurimi është caktuar edhe për shtetasit M. M., L. S. dhe E. G., të cilët duhet të paraqiten të hënën e tretë të çdo muaji, në orën 10:00, pranë Oficerit të Policisë Gjyqësore të seksionit përkatës të Prokurorisë së Tiranës.
Për shtetasin D. D., gjykata ka konstatuar të paligjshëm arrestimin, por ka caktuar gjithashtu detyrimin për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore.
Ndërsa për shtetasin E. B., të dyshuar për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, arrestimi është vlerësuar i paligjshëm dhe nuk është caktuar asnjë masë sigurimi.












