Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e gatshme të rifillojë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ka paralajmëruar se Rusia do t’i përmbushë të gjitha objektivat e asaj që Kremlini e quan “operacion special ushtarak”.

Ai tha se Rusia kishte kërkuar që në vitin 2014 të ndihmonte në arritjen e një marrëveshjeje mes Kievit dhe rajoneve juglindore të Ukrainës, të cilat nuk e pranonin ndryshimin e pushtetit në atë kohë.


“Që në ditët e para, në vitin 2014, ne thoshim: ‘Na lejoni t’ju ndihmojmë të arrini një marrëveshje me juglindjen e asaj që atëherë ishte Ukraina’. Por jo. Topa dhe aeroplanë kundër popullsisë civile. Praktikisht, ata e nisën një luftë”, deklaroi 74-vjeçari.

Diktatori rus iu referua edhe Marrëveshjeve të Minskut, të cilat synonin t’i jepnin fund konfliktit në lindje të Ukrainës. Sipas tij, Moska kishte kërkuar vazhdimisht një marrëveshje mes autoriteteve ukrainase dhe pjesës së vendit që nuk e pranonte atë që Putin e përshkroi si “grusht shteti”.

Putin theksoi se Rusia mbetet e gatshme të negociojë dhe të kërkojë zgjidhje për situatën, të cilën e cilësoi si të vështirë dhe të ndërlikuar.

“Ne jemi të gatshëm të negociojmë dhe të kërkojmë zgjidhje për këtë situatë të vështirë, sepse bëhet fjalë për një popull shumë të afërt me ne”, tha ai.

Kreu i Kremlinit pretendoi gjithashtu se studimet e fundit gjenetike tregojnë se rusët dhe ukrainasit janë “një popull i vetëm”, duke shprehur bindjen se një marrëveshje mund të arrihet.

Megjithatë, ai paralajmëroi se, nëse pala tjetër dëshiron një rrugë tjetër, Rusia do të veprojë në përputhje me rrethanat.

“Në çdo rast, ne do t’i përmbushim detyrat tona dhe të gjitha objektivat e ‘operacionit special ushtarak’ do të arrihen”, deklaroi Putin.

Ai bëri të ditur gjithashtu se palët kanë rënë dakord për gatishmërinë për të rifilluar kontaktet trepalëshe.

Sipas tij, qëllimi i këtyre negociatave do të ishte diskutimi i mënyrave për të garantuar sigurinë e Ukrainës dhe Rusisë pas arritjes së marrëveshjeve të paqes.

Putin tha gjithashtu se territoret e humbura nga Kievi nuk janë “territoret e tyre”, por sipas tij, toka historikisht ruse. /Telegrafi/