Debat në studio/ Caka: Policët që ushtruan dhunë po hetohen! Lala: Ju keni një falje publike?
Ka nisur me debat emisioni “Të Paekspozuarit” i Ylli Rakipit në Vizion Plus mbrëmjen e kësaj të enjteje .
Në një lidhje me studion, zv.ministrja e Brendshme, Silva Caka, ka theksuar se policia ka pasur tre qëndrime, ku fillimisht ka qenë e qetë, e më pas ka reaguar në proporcion me dhunën.
Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala ka theksuar se zonja Caka ka qëndrime të ndryshme ndaj policisë krahasuar me kohën kur ishte përfaqësuese e LSI-së.
I menjëhershëm ishte reagimi i zonjës Caka, e cila theksoi se edhe kur protestonte, nuk i përgjithësonte të gjithë policët.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pretendohet se ka pasur dhunë brutale ndaj protestuesve. Cili është qëndrimi juaj?
Caka: Në fakt, mendoj se kanë ekzistuar të tre skenarët: edhe një polici që ishte e qetë dhe e nënmenaxhoi situatën, edhe pas përshkallëzimit nga protestuesit, jo ata paqësorë, përshkallëzoi edhe policia. Pastaj ekziston edhe rasti kur, për sa kohë kemi policë të pezulluar, është tejkaluar detyra, ku efektivët e policisë ndoshta kanë kryer veprime që do t’i nënshtrohen hetimit. Nuk ka lidhje me shtypjen e protestës me dhunë, por ka qenë reagim ndaj elementëve që donin ta shfokusonin nga protesta paqësore në një protestë që djeg. Nuk e di cili ishte mesazhi që donin të përcillnin përmes këtyre veprimeve.
Lala: Zv.ministrja është e njëjta që e konsideronte policinë të kriminalizuar, ndërsa tani është në një tjetër pozicion.
Rakipi: Nuk e ka thënë.
Lala: Kemi raste plot. E vetmja gjë që duhet të bëjë zv.ministrja është të kërkojë falje dhe të distancohet nga Policia e Shtetit. Minimalisht, si zonjë dhe si zv.ministre, duhet të distancohet.
Caka: Klodi, mendoj se është e panevojshme, sepse nuk jemi këtu të flasim as për mua dhe as për ty.
Lala: Nuk fola për ju, fola për Silva Cakën si ish-pjesëtare e LSI-së dhe sot si zv.ministre e Brendshme.
Caka: Sigurisht që unë nuk ndryshoj nga ato që kam thënë. Nëse kujtohesh, patjetër që nuk i kam përgjithësuar kurrë të gjithë policët, por në çdo protestë edhe i kam mbrojtur.
Lala: Distancoheni apo jo nga dhuna?
Caka: Si nënë, si grua dhe si qytetare e këtij vendi, një ndjesë qytetare për çdo njeri që, për arsye të anarkisë, mund të ketë pësuar një dëm në kurriz të tij. Sigurisht që jo vetëm unë, por çdo punonjës i Policisë së Shtetit mund të ketë një ndjesë për çdo qytetar që është përballur ose prekur nga veprimtaria e Policisë së Shtetit. Ajo që është më e rëndësishme për mua është se policia ka ditur të vetëkorrigjohet. Rastet kur ka pasur tejkalim janë pezulluar dhe janë në hetim nga AMP-ja.
Lala: A ka Ministria e Brendshme një qëndrim për kapuçzinjtë që dolën nga Ministria dhe u bashkuan me protestuesit? Po për zyrtarët që ishin me maska dhe qëndruan brenda PS-së, duke krijuar përplasje të fortë me protestuesit?
Caka: Unë e kam parë atë video dhe, me aq sa kam mundur të shoh të gjithë zonën, nuk më duket si zonë e Ministrisë së Brendshme. Nuk kam asnjë informacion që kanë dalë nga Ministria e Brendshme.
Lala: Kemi pamje filmike. A mbrohet një seli nga paramilitarë?
Caka: Në pamjet filmike që unë kam parë, nuk kanë dalë nga Ministria e Brendshme.
Lala: A mbrohet PS-ja nga paramilitarë?
Rakipi: Rama dhe Balla thanë se janë militantë të PS-së. Ata thanë se ishin njerëz të PS-së dhe se ata mbrojnë partinë.
Caka: Unë nuk jam anëtare e PS-së dhe nuk jap mendime se si organizohen partitë politike në vetvete.
Rakipi: Në ditët në vijim, nëse protesta do të jetë në gjendje revolte, a ka marrë policia trajnime për të operuar në mënyrë normale?
Caka: Në fakt, policia e ka pjesë të procedurave të veta mënyrën se si e përballon një protestë. Janë procedura që zbatohen në bazë të situatave që mund të lindin nga momenti në moment. Elementet për të mbrojtur rendin dhe sigurinë publike i vendosin trupat operacionale në bazë të komandës së tyre, nëse ka përshkallëzim.




