Vendosni fjalën kyçe....

Ministrat grekë e egjiptianë diskutojnë marrëveshjen detare turko-libiane


Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me homologun e tij egjiptian, pas ratifikimit nga autoritetet në Libinë lindore të një marrëveshjeje të diskutueshme detare me Turqinë, shkruan Ekathimerini.

Ministria e Jashtme e Egjiptit bëri të ditur se Gerapetritis dhe Badr Abdelatty theksuan rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. Ata ranë gjithashtu dakord të vijojnë bisedimet për përcaktimin e kufijve të zonave detare mes Greqisë dhe Egjiptit.

Të dy vendet mesdhetare e kanë kundërshtuar si të pabazuar në aspektin ligjor marrëveshjen mes Turqisë dhe Libisë, e cila u miratua të mërkurën nga autoritetet në Libinë lindore. Administrata rivale në perëndim të vendit të Afrikës së Veriut e kishte nënshkruar marrëveshjen me Ankaranë në vitin 2019.

Marrëveshja turko-libiane nuk merr parasysh praninë e Kretës dhe të ishujve të Dodekanezit, si dhe pretendimet e mundshme të Egjiptit, në ndarjen e të drejtave detare mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian dhe Izraeli e kanë kundërshtuar gjithashtu marrëveshjen.