Dy ish-futbollistët italianë Simone Pepe dhe Giuseppe Sculli janë pezulluar për 18 muaj dhe janë gjobitur me nga 20 mijë euro nga Gjykata Federale Kombëtare në Itali, pasi dyshohet se kanë vepruar si agjentë sportivë pa pasur licencën e nevojshme.
Sipas Federatës Italiane të Futbollit, sanksionet lidhen me negocimin e marrëveshjeve ekonomike dhe ndërmjetësimin në lidhjen e kontratave, aktivitete për të cilat kërkohet licencimi përkatës.
Me të njëjtat masa është ndëshkuar edhe avokati Alessandro Buccieri, ortak në minorancë në kompaninë SP Management Srl. Edhe ai është pezulluar për 18 muaj dhe është gjobitur me 20 mijë euro.
Sipas të përditshmes sportive “La Gazzetta dello Sport”, çështja lidhet edhe me marrëdhëniet e ish-futbollistëve me disa lojtarë, mes tyre Favasulli dhe Davide Bettella, të cilët dyshohet se u kishin revokuar prokurat.
Pas ndërprerjes së këtyre mandateve, Pepe dhe Sculli dyshohet se kanë kërkuar pagesën e penaliteteve që arrinin në qindra mijëra euro për ndërprerjen e parakohshme të marrëveshjeve.
Për këtë çështje, të dy ish-futbollistët janë gjithashtu nën hetim penal për ushtrim të paligjshëm të profesionit dhe tentativë zhvatjeje. Hetimi penal është i ndarë nga procedimi sportiv dhe përgjegjësia e tyre do të përcaktohet nga organet përkatëse.

