Kryeministri Edi Rama ka deklaruar mbështetjen e plotë të Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilëson kandidaturën e Nusseibeh si një mundësi për një fillim të ri për OKB-në, në një kohë kur organizata përballet me pikëpyetje të forta mbi aftësinë për të përmbushur misionin e saj.
“Kandidimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ofron një fillim të ri, një mundësi që bashkësia e OKB-së nuk mund ta lërë t’i ikë, dhe Shqipëria ka nderin t’i japë kandidaturës së saj mbështetjen e plotë e të pakursyer”, shkruan Rama.
Kryeministri thotë se e ka njohur personalisht Nusseibeh gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ka pasur mundësinë të vlerësojë njohuritë e saj për politikën ndërkombëtare, përulësinë intelektuale dhe aftësinë për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve.
Sipas Ramës, në një periudhë të vështirë për Kombet e Bashkuara, kandidatura e saj përfaqëson një shpresë të re, duke sjellë përvojë, inteligjencë dhe përkushtim ndaj shërbimit të njerëzimit pa paragjykime.
Në fund të mesazhit, Rama thekson edhe rëndësinë e zgjedhjes së një gruaje në krye të organizatës ndërkombëtare, pas shumë drejtuesve burra.
“Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, pas kaq shumë burrash në krye, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua me një staturë të tillë”, përfundon Rama.





