Një politikane e njohur e së majtës në Ekuador, e cila doli e dyta përballë presidentit Daniel Noboa në dy zgjedhjet e fundit, është arrestuar, bëri të ditur të enjten drejtuesja e partisë së saj, shkruan Reuters.
Luisa Gonzalez, aleate e ngushtë e ish-presidentit socialist Rafael Correa, është nën hetim për parregullsi të dyshuara në financimin politik dhe shpenzimet e fushatës gjatë zgjedhjeve të vitit 2023.
Në një postim në platformën X, Gonzalez e cilësoi akuzën si “absurde” dhe u bëri thirrje anëtarëve të partisë së saj të bashkohen për të arritur lirinë dhe demokracinë në Ekuador.
Drejtuesja e partisë Revolucioni i Qytetarëve, Gabriela Rivadeneira, konfirmoi arrestimin në një postim në rrjetet sociale dhe pretendoi se ai ishte i motivuar politikisht.
“Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Luisa Gonzalez, e cila nuk duhet të përballet me një proces përndjekjeje dhe torture të imponuar nga kjo qeveri”, u tha ajo gazetarëve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Prokuroria e Përgjithshme tha se hetimi synon të sqarojë origjinën e fondeve të përdorura për financimin e reklamave zgjedhore gjatë periudhës maj–gusht 2023.
“Një rrjet personash juridikë u përdor për të kanalizuar rreth 500 mijë dollarë për lidhjen e kontratave dhe blerjen e reklamave të fushatës. Dyshohet se fondet u kanalizuan pa bërë të ditur burimin e tyre apo identitetin e kontribuuesve”, thuhet në videon e publikuar nga Prokuroria.
Rivadeneira tha se fondet e fushatës së vitit 2023 ishin deklaruar plotësisht dhe se gjobat financiare të vendosura më herët nga autoriteti zgjedhor ishin paguar. Ajo përsëriti kështu deklaratat e mëparshme të Gonzalez.
Edhe ish-presidenti Rafael Correa, i cili mbështeti kandidaturën e Gonzalez, i kundërshtoi akuzat.
“Kjo nuk ka të bëjë me ligjshmërinë apo me faktin nëse po respektohen apo jo rregullat. Është thjesht dhe brutalisht përndjekje”, tha ai për një program radiofonik vendas.
Në një postim në rrjetet sociale, Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit bëri të ditur se shtatë persona janë nën hetim për “mospërputhje në kontributet financiare dhe në burimin e ligjshëm të fondeve” gjatë fushatës presidenciale të vitit 2023.
Deri më tani janë arrestuar tre persona, të cilët do të përballen me akuza për pastrim të dyshuar parash, njoftoi Prokuroria, pa bërë të ditur emrat e tyre të plotë.
Gonzalez humbi ndaj Noboa si zgjedhjet e vitit 2023, ashtu edhe ato të vitit 2025, ndërsa pas humbjes së vitit të kaluar pretendoi se kishte pasur manipulime zgjedhore.
Ajo kishte tentuar të kandidonte në zgjedhjet lokale të parashikuara për 29 nëntor, por nuk arriti ta regjistronte kandidaturën për shkak të rregullave që lidhen me regjistrimin e partive politike.