Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë po hetojnë pretendimet për parregullsi në kontratat e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS), përfshirë rolin e Corey Lewandowski-t, i cili ka vepruar si shef de facto i kabinetit të ish-sekretares Kristi Noem, sipas disa personave të njohur me hetimin.
Hetimi vjen pas një referimi për ndjekje penale të Lewandowski-t nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të DHS-së, e cila ka shqyrtuar praktikat e prokurimit dhe lidhjes së kontratave në këtë institucion gjatë periudhës kur Noem dhe Lewandowski ushtronin funksionet e tyre, sipas një prej burimeve të njohura me çështjen.
Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje.
“Zoti Lewandowski nuk është kontaktuar nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me ndonjë hetim dhe ai mohon çdo shkelje gjatë kohës kur i shërbente me krenari vendit të tij në cilësinë e një bashkëpunëtori vullnetar”, tha për CNN avokati i tij, Adam Trigg.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Referimi i çështjes për ndjekje penale është një veprim i pazakontë për administratën Trump, e cila ka ngurruar të nisë hetime penale ndaj personave brenda radhëve të saj.
Në vend të kësaj, kritikët e kanë akuzuar kryesisht Departamentin e Drejtësisë se po shënjestron në mënyrë të papërshtatshme kundërshtarët politikë të presidentit, ndërsa kanë pretenduar se DHS po mbron punonjësit e vet nga kontrolli dhe hetimet.
Gjatë muajve të fundit, teksa dolën në pah pretendimet për korrupsion të mundshëm, prokurorja federale e Uashingtonit, Jeanine Pirro, u tha zyrtarëve të zyrës së saj se dëshironte që hetuesit të shqyrtonin pretendimet për pagesa të paligjshme në këmbim të përfitimeve, të lidhura me kontratat e DHS-së, sipas një burimi të dytë të njohur me hetimin.
Ende nuk është e qartë se cila zyrë e prokurorisë federale po e drejton hetimin.
Sipas personit të njohur me çështjen, prokurorët kanë qenë në pritje të rezultateve të hetimit të Inspektorit të Përgjithshëm të DHS-së.
Lewandowski, një strateg politik republikan, u bë figurë e rëndësishme në DHS që në fillim të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, duke shërbyer si këshilltari kryesor i Noem. Megjithatë, zyrtarisht, ai ishte emëruar fillimisht si punonjës i posaçëm i qeverisë, një status i veçantë që parashikohet për angazhime të kufizuara në kohë.
Sipas disa personave që folën për CNN, përfshirja e Lewandowski-t në funksione të larta drejtuese të DHS-së, ndërkohë që mbante statusin e punonjësit të posaçëm të qeverisë, përbënte një situatë të paprecedentë.
Në fund, zyrtarët e Sigurisë Kombëtare e konsideronin Lewandowski-n, aleat të Trump, si personin që kontrollonte aksesin te Noem dhe vendoste se kush mund të komunikonte me të. Ai u largua nga departamenti pasi Trump e shkarkoi Noem.
Mënyra se si Noem trajtoi kontratat në DHS ishte një nga faktorët kryesorë që çuan në shkarkimin e saj nga Trump në fillim të këtij viti. Veçanërisht i rëndësishëm ishte rasti kur ajo pretendoi se Trump ishte në dijeni të një fushate publicitare prej 220 milionë dollarësh, në të cilën sekretarja shfaqej dukshëm.
Gjatë mandatit të saj, Noem shtrëngoi gjithashtu kontrollin mbi shpenzimet e departamentit, duke urdhëruar që çdo kontratë dhe grant me vlerë mbi 100 mijë dollarë të kalonte në zyrën e saj për miratim. Ajo e mbronte shpesh këtë masë me argumentin se synonte të reduktonte shpërdorimet, por disa zyrtarë të DHS-së e konsideronin atë të pazakontë dhe të panevojshme.
Në fillim të marsit, Inspektori i Përgjithshëm, Joseph Cuffari, u ankua në Kongres se drejtuesit e Departamentit të Sigurisë Kombëtare po pengonin një pjesë të punës së tij.
I pyetur të enjten nga një gazetar për hetimin ndaj Lewandowski-t, Trump tha se nuk dinte shumë për çështjen, pasi sapo kishte marrë dijeni për të. Megjithatë, ai përsëriti disa herë se dëshiron që personat që punojnë për të të ndiqen penalisht nëse janë të pandershëm.
“Ata po më vjedhin mua, prandaj dua që njerëzit e mi të jenë të ndershëm”, tha Trump. “Dhe nëse nuk janë të ndershëm, do ta udhëzoj Departamentin tim të Drejtësisë të bëjë gjithçka që duhet.”