UEFA ka vendosur që ndeshja mes Serbisë dhe Gjermanisë në Nations League të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e tifozëve në stadium.
Vendimi është marrë për shkak të thirrjeve raciste dhe sjelljeve të dhunshme të tifozëve serbë në ndeshjet e fundit kundër Greqisë dhe Holandës.
Përveç zhvillimit të ndeshjes pa spektatorë, Federata Serbe e Futbollit është dënuar edhe me një gjobë prej 50 mijë eurosh.
Federata serbe kishte apeluar vendimin, duke kërkuar që takimi i planifikuar më 13 nëntor në stadiumin “Rajko Mitić” të zhvillohej me një numër të kufizuar tifozësh.
Propozimi parashikonte praninë e 2 mijë tifozëve gjermanë, si dhe të një numri të caktuar fëmijësh vendas në shkallët e stadiumit.
Megjithatë, UEFA e ka rrëzuar kërkesën e federatës serbe, duke konfirmuar masën e zhvillimit të takimit me dyer të mbyllura.
Kështu, përballja mes Serbisë dhe Gjermanisë do të luhet pa atmosferën e zakonshme të tifozëve, si pasojë e masave disiplinore të vendosura nga qeveria europiane e futbollit.












