Aktori amerikan Tom Skerritt, i njohur për rolet në filmat e suksesshëm “Alien” e “Top Gun”, si dhe në serialin televiziv “M\*A\*S\*H”, u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare.
Me një karrierë gati 60-vjeçare në film dhe televizion, Skerritt u bë një nga figurat e spikatura të kinematografisë amerikane, duke interpretuar personazhe që mbetën gjatë në kujtesën e publikut.
I lindur më 25 gusht 1933 në Detroit, Michigan, Skerritt nisi karrierën në fillim të viteve 1960, pas shërbimit në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara. Një nga rolet e tij të hershme të rëndësishme ishte ai në filmin “M*A*S*H” (1970), me regji të Robert Altmanit.
Në filmin fantastiko-shkencor “Alien” (1979), me regji të Ridley Scottit, ai interpretoi kapitenin Dallas, komandantin e anijes kozmike Nostromo.
Ndërsa në filmin “Top Gun” (1986), ku luajti përkrah Tom Cruise, u shfaq në rolin e instruktorit të fluturimit Mike “Viper” Metcalf.
Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierë ishte seriali televiziv “Picket Fences”, ku interpretoi sherifin Jimmy Brock. Për këtë rol, fitoi çmimin Emmy në vitin 1993, në kategorinë e aktorit më të mirë kryesor në një serial dramatik.
Filmografia e tij përfshin gjithashtu “The Turning Point”, “Steel Magnolias” dhe “A River Runs Through It”, ku ndau ekranin me aktorë të njohur të Hollywood-it.
Tom Skerritt la pas një karrierë të gjatë në kinematografi dhe televizion, duke u dalluar për interpretime nga filmat dramatikë te prodhimet fantastiko-shkencore dhe aksionet.