Gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre emra ndër më të rëndësishmit e grupit si Flamur Noka, Belind Këlliçi apo Luçiano Boçi do t’i mungojnë 2 muaj punimeve të parlamentit.

Sekretariati i Etikës në Kuvend pranoi kërkesën e disa deputetëve socialistë për përjashtimin me nga 60 ditë të 6 ligjvënësve socialistë të cilët kryesuan kaosin e së enjtes duke u përplasur deri në fizikisht me kolegët e tyre të mazhorancës.

I pari i përjashtuar Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, gjithnjë protagonist i përplasjeve në seanca plenare. Të enjten fillimisht ai ofendoi kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi ndërsa më pas u përplas me Taulant Ballën, kreun e grupit të PS, teksa ky i fundit tentonte të mbante fjalën në Kuvend.

Pas Nokës u përfshinë në sherr edhe deputetët e tjerë demokratë të cilët kryesuan sulmet fizike, si Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri.

Këta të fundit fyen dhe goditën me shishe uji deputetët e Partisë Socialiste, Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj, Bujar Rexha etj, gjatë procesit të votimit.

Momenti më i rëndë ishte kur teksa Flamur Noka tentonte t’u merrte nga duart kolegëve socialistë kartonët jeshilë, e ndoqi edhe Fidel Kreka i cili goditi ish-ministrin Ervin Hoxha me bllokun e votimit në fytyrë. Ky moment e tensionoi së tepërmi situatën.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Etikës, i cili u zhvillua online, nuk u dënuan 14 deputetë të tjerë të PD për të cilët socialistët kishin kërkuar 10 ditë përjashtim, pasi roli i tyre u kufizua në bllokimin e foltores.

Vetë Partia Demokratike, përmes kreut të grupit parlament Gazment Bardhi e cilësoi agresion politik dhe një përpjekje e hapur për të goditur opozitën dhe për të mbytur zërin e qytetarëve që ajo përfaqëson.

Kujtojmë se pavarësisht përplasjeve të forta, në seancën plenare të ditës së djeshme u votuan 6 projektligjet e rendit të ditës dhe 3 projektvendime, mes të cilave edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.