Në orën 10:00, mblidhet online Sekretariati i Etikës, për të shqyrtuar kërkesën e maxhorancës lidhur me përjashtimin e 20 deputetëve demokratë. Kjo pas tensioneve të forta, dje në Parlament.
Për deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi e Besart Xhaferri, PS-ja kërkon 2 muaj përjashtim nga Kuvendi ndërsa për 14 deputetë që bllokuan foltoren, 10 ditë.
Noka sulmoi fizikisht kryeparlamentarin Niko Peleshi dhe kreun e grupit socialist, Taulant Balla.
Kreka goditi me bllokun e votimit, socialistin Ervin Hoxha.
Në kërkesën e PS-së për Etikën, gjithashtu thuhet:
Deputetët Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi, fyen dhe goditën me shishe uji deputetët e Partisë Socialiste.
Siç vërehet nga pamjet filmike, deputetët Ervin Hoxha, Arkend Balla, Fadil Nasufi, Agron Malaj, Bujar Rexha, etj janë sulmuar dhe fyer nga këta deputetë gjatë procesit të votimit.
Megjithë përplasjet e forta, dje në seancë plenare u votuan 6 projektligjet e rendit të ditës dhe 3 projektvendime.
Mes tyre, ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.