Policia e Vlorës zbardhi djegien e një automjeti, mbi një muaj më parë, në lagjen “1 Maji”. Fillimisht, ngjarja u raportua si aksidentale, për shkak të një defekti.
Në kuadër të operacionit të koduar “Order”, u arrestuan dy persona, të dyshuar si porositësi dhe autori i djegies së qëllimshme të makinës.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi më 22 shtator 2026, rreth orës 01:20, kur automjeti në pronësi të një 50-vjeçareje, banuese në Vlorë, u përfshi nga flakët.
Pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve arritën të zbulojnë se zjarri nuk ishte shkaktuar nga një defekt teknik, por ishte vënë qëllimisht.
Në pranga ranë R.K., 33 vjeç dhe T.K., 36 vjeç, të dy banues në Vlorë. Nga hetimet dyshohet se 33-vjeçari porositi 36-vjeçarin për t’i vënë flakën automjetit të 50-vjeçares.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.