Vendosni fjalën kyçe....

Shpërndanin kokainë në Burrel, arrestohen tre persona, mes tyre një 72-vjeçar



Tre persona janë arrestuar nga Policia e Dibrës, pasi dyshohen se bashkëpunonin për përgatitjen dhe shitjen e kokainës në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit. Mes të arrestuarve është edhe një 72-vjeçar.

Gjatë operacionit policor të koduar “Start 3”, janë sekuestruar 94.70 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë, 13 telefona celularë, dy peshore elektronike, një automjet dhe një orë dore e markës luksoze “Rolex”.

Në pranga kanë rënë shtetasit A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, të dy banues në Sanxhak të Laçit, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.

Sipas Policisë, nga hetimet e zhvilluara dyshohet se tre personat bashkëpunonin me njëri-tjetrin për përgatitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike në qytetin e Burrelit.

Operacioni u realizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, pas një hetimi proaktiv të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës.

Kontrollet fizike dhe ato në banesat e të dyshuarve çuan në gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve që do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.