‘Etika’ prjashton deputetët e PD-së për 60 ditë nga Kuvendi (EMRAT)
Sekretariati i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin për 60 ditë nga punimet e seancave plenare të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, pas kërkesës së paraqitur nga deputetët socialistë për incidentet e ndodhura në seancën e fundit parlamentare.
Vendimi prek Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Edi Palokën, Fidel Krekën, Luçiano Boçin dhe Besart Xhaferrin. Për 14 deputetë të tjerë demokratë, Sekretariati ka vendosur të mos aplikojë masën e përjashtimit, por vetëm t’u tërheqë vëmendjen.
Sipas raportimit të gazetares së Top News, Gerjola Hate, në këtë grup përfshihen Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Masat pas përplasjeve në Kuvend
Kërkesa e Partisë Socialiste erdhi pas episodeve të tensionuara të një dite më parë në Kuvend, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren, pati përplasje verbale dhe u raportua për hedhje sendesh në drejtim të deputetëve të mazhorancës.
Ngjarjet u shoqëruan me përshkallëzim të tensioneve mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste, duke sjellë edhe kërkesën për masa disiplinore ndaj deputetëve të përfshirë.
Me vendimin e Sekretariatit të Etikës, gjashtë deputetët e PD-së përballen me masën më të rëndë të parashikuar në këtë rast, ndërsa për 14 të tjerët është zgjedhur një masë më e lehtë.
Vendimi pritet të ndikojë në pjesëmarrjen e deputetëve të përjashtuar në seancat plenare gjatë periudhës së përcaktuar, ndërsa përplasjet politike dhe debatet mbi zhvillimet në Kuvend vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



