Saturday / October 24 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

Satira që mban nën kontroll politikanët britanikë

Share Share Icon

Arti i vjetër i kronikës satirike parlamentare po lulëzon në epokën dixhitale

“U hapën portat e mediokritetit dhe ai vërshoi. Brenda pak çastesh, publiku ishte përmbytur prej tij, si pulat e zëna në befasi nga një vërshim i rrëmbyeshëm uji.”. Vlerësimi i gazetës Daily Mail për një fjalim të fundit të Lucy Powell, ministres britanike të Arsimit, nuk ishte aspak dashamirës. Po kështu, as ai i gazetës The Times për Sir Ed Davey, drejtuesin e Liberal Demokratëve, i cili gjatë fjalimit në konferencën e partisë së tij në shtator “dukej dhe tingëllonte, si gjithmonë, si një mjek i buzëqeshur fshati që u shpërndan vaj mëlçie merluci zonjave të moshuara”.

Megjithatë, të dy shpëtuan relativisht lehtë në krahasim me kancelarin në hije të Partisë Konservatore. “Edhe vetëm 20 minuta me Andrew Griffith mund të ta copëtojnë shpirtin më dysh”, shkroi The Guardian në tetor. “Griffith vazhdoi të mbante fjalimin më të keq që është dëgjuar ndonjëherë. Jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për mënyrën e paraqitjes. Ishte si të shihje një version edhe më pak të ndërgjegjshëm të majmunit të reklamave të PG Tips”.

Komente kaq pak diplomatike janë të zakonshme në rrjetet sociale, por në shumicën e vendeve ato rrallë gjejnë vend në faqet e gazetave kryesore. Megjithatë, në Fleet Street, qendrën historike të shtypit britanik, ato jo vetëm tolerohen, por nxiten. Për këtë duhet falënderuar arti i vjetër, por ende i gjallë, i kronikës satirike parlamentare britanike.

Kur John Healey, kancelari i Thesarit, të paraqesë buxhetin e tij të parë më 28 tetor, ai do të shqetësohet më shumë për reagimet e deputetëve, votuesve dhe tregut të obligacioneve. Por ndoshta do t’u hedhë një sy edhe kronikave satirike, pasi një shprehje e goditur në një prej tyre mund ta ndjekë një politikan gjatë gjithë karrierës. Theresa May, gjatë kohës kur ishte kryeministre, nuk arriti kurrë të çlirohej nga nofka “Maybot”, që ia vuri John Crace i The Guardian, pas një serie intervistash veçanërisht robotike për Brexit-in.

Kronika satirike parlamentare, e njohur në Britani si parliamentary sketch, nuk ka të bëjë fare me vizatimin. Përkundrazi, ajo është një rrëfim humoristik, por i mbështetur në fakte, i një ngjarjeje politike, zakonisht i zhvillimeve parlamentare, i një fjalimi ose i një interviste. Ajo tregon çfarë është thënë dhe çfarë mendon autori për të, duke përfshirë njëkohësisht një mori batutash në kurriz të politikanëve.

Katër gazeta të përditshme dhe dy revista punësojnë autorë të specializuar të kronikave satirike parlamentare. Në të kundërt, të gjitha mediat britanike së bashku kanë tashmë vetëm një korrespondent që mbulon sindikatat. Kjo praktikë nisi në fillim të shekullit XIX dhe çdo autor i kronikave të tilla ëndërron të arrijë lartësitë e paraardhësit më të shquar të kësaj tradite, Charles Dickens, i cili shkruante për Mirror of Parliament.

MEET THE BIBLIT 2026 SPEAKERS | BibLit 2026

Tradita të tjera të Fleet Street, si konkurset ku lexuesit duhej të gjenin vendndodhjen e topit në një fotografi futbolli apo vajzat gjysmë të zhveshura të “faqes së tretë”, janë zhdukur në epokën e internetit. Por kronika satirike parlamentare vazhdon të mbijetojë.

Kaosi i periudhës së Brexit-it e ndihmoi këtë traditë, sipas John Crace, gazetari dhe satiristi politik i gazetës britanike The Guardian. “Kronika satirike rilindi, sepse ndonjëherë ishte e vetmja gjë që mund të pasqyronte natyrën halucinante të politikës së asaj kohe”.

Një tjetër arsye për mbijetesën e saj, sipas Rob Hutton, i cili shkruan kronika satirike për revistën The Critic, është se autorët e këtij zhanri mund të jenë “më të sinqertë”. Gazetarët që mbulojnë lajmet, përkundrazi, mund të ndihen në siklet nëse i akuzojnë drejtpërdrejt politikanët se po gënjejnë.

Çfarë e bën të mirë një kronikë satirike parlamentare? Për Crace, gjëja më e rëndësishme është të identifikosh çështjen kryesore të ditës dhe të hedhësh dritë mbi të.

Quentin Letts i Daily Mail ndjek një qasje tjetër. Ai shkruan reportazhe nga debatet më pak të njohura të Dhomës së Komuneve dhe kënaqet duke u dhënë jetë politikanëve që publiku i njeh pak. Keir Mather, një ministër i rangut të ulët në Ministrinë e Transportit, “duket rreth 14 vjeç dhe pothuajse me siguri nuk e ka blerë ende briskun e tij të parë të rrojës”, vërente me ironi Letts në një artikull të fundit.

Autorët e kronikave satirike bien dakord se një kronikë e mirë bën më shumë sesa thjesht t’i bëjë lexuesit të qeshin. Ajo hedh dritë mbi psikologjinë e njerëzve në pushtet.

“Autori më i mirë i kronikave satirike është një mendimtar politik”, thotë Sir Peter Stothard, ish-kryeredaktor i The Times.

Hutton sheh potencial te nxjerrja në pah e hendekut mes mënyrës se si Andy Burnham e percepton veten, si një njeri i zakonshëm dhe i drejtpërdrejtë, jashtë elitës politike të Westminster-it, dhe mënyrës se si kryeministri perceptohet nga të tjerët.

Jo të gjithë deputetët kanë frikë se mos bëhen objekt i një kritike të pamëshirshme në kronikat satirike. Sir Robert Buckland, ish-ministër konservator, thotë se ai e konsideronte përqeshjen si një “medalje nderi”.

Kolegët e tij në Dhomën e Komuneve ulen në kafenetë e Parlamentit dhe i lexojnë njëri-tjetrit me zë fragmentet më pikante të këtyre kronikave, shton ai.

Ai nuk ka asnjë simpati për viktimat e autorëve të kronikave satirike.

“Është njësoj si marinarët që ankohen për detin, apo jo? Mos hip në anije nëse nuk të pëlqen uji.” / The Economist

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Bota /

Mos lejoni që IA të vrasë autorin

4 hours më parë 6 Min Lexim
Ads
Bota /

Themele të brishta

4 hours më parë 8 Min Lexim

Ekonomia e eurozonës ngadalësohet në tetor, kostot e energjisë rëndojnë mbi bizneset

Aktiviteti ekonomik në eurozonë u ngadalësua gjatë tetorit, duke regjistruar ritmin më të dobët të rritjes në katër muaj, ndërsa shtrenjtimi i ener...

15 hours më parë 3 Min Lexim
Bota /

Franca planifikon praninë e ushtrisë për të frenuar valën e ardhshme të protestave

Franca po përgatitet të dislokojë forca ushtarake dhe të shtojë ndjeshëm praninë policore përpara protestave të reja të planifikuara për të shtunën...

17 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!