Aktualitet

Dita e 11-të e protestës/ Studentët e Mjekësisë me bluza të bardha e maska marshojnë drejt Kryeministrisë

Studentët e Mjekësisë kanë nisur këtë të premte marshimin drejt Kryeministrisë, në ditën e 11-të të protestës në Tiranë.

Të veshur me uniformat e bardha dhe me maska kirurgjikale, studentët janë drejtuar drejt godinës së qeverisë për t’iu bashkuar tubimit.

Protestës i janë bashkuar edhe disa pedagogë, të cilët kanë dalë para Kryeministrisë.

“Dorëheqje!”, “Rama në burg, Berisha në burg!” janë disa prej thirrjeve që dëgjohen nga studentët dhe qytetarët e mbledhur në protestë.

Pjesëmarrja e studentëve të Mjekësisë dhe Infermierisë, së bashku me pedagogët dhe mjekët, shënon një tjetër zhvillim në protestat antiqeveritare që po vijojnë prej ditësh në Tiranë. Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, ndërsa përmes thirrjeve të tyre shprehin kundërshtimin edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Tubimi po zhvillohet përpara Kryeministrisë, ku studentët, pedagogët dhe mjekët vijojnë të qëndrojnë të bashkuar, duke kërkuar ndryshime politike dhe institucionale në vend.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.