Aktualitet

Sindikata e Universiteteve bojkoton sërish mësimin në mbështetje të studentëve!

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve ka bojkotuar edhe këtë të premte procesin mësimor, në shenjë solidariteti me protestën e studentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Kreu i sindikatës, Sandër Kovaçi, deklaroi se pedagogët e konsiderojnë mbështetjen ndaj studentëve një përgjegjësi qytetare, duke dënuar atë që e cilësoi “dhunë policore ndaj protestuesve”.

Kovaçi tha se sindikata i mbështet kërkesat e studentëve dhe do të qëndrojë në krah të tyre deri në fund të protestës.

Ai theksoi se bojkotimi i mësimit është një formë solidariteti me të rinjtë dhe u bëri thirrje pedagogëve të mos zhvillojnë mësim me një numër të kufizuar studentësh, në kushtet kur pjesa tjetër është e angazhuar në protestë.

E pamë si përgjegjësi qytetare t’u dalim zot studentëve dhe t’i themi ndal dhunës së policisë. Nga ana tjetër, kemi parë me simpati kërkesat e tyre dhe duhet t’i ndjekim deri në fund kërkesat e studentëve dhe protestën. Ne do të jemi me ta deri në momentin e fundit.

Kreu i sindikatës u ndal edhe te vijimi i procesit mësimor, duke paralajmëruar se pedagogët do të angazhohen për të kompensuar orët e humbura, në mënyrë që bojkoti të mos ndikojë në përfundimin e programit akademik.

Ai u bëri thirrje kolegëve të respektojnë vendimin e bojkotit dhe të mos zhvillojnë mësim me vetëm një apo dy studentë.

Kovaçi bëri të ditur se sindikata do t’i bashkohet protestës së paralajmëruar nga studentët për nesër, në orën 14:00, duke ndjekur itinerarin e përcaktuar prej tyre.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.