Aktualitet

Dita e 11-të e protestës te Kryeministria/Deklaratë e bluzave të bardha!

Protesta e studentëve është në ditën e 11-të. Mbështetja ndaj tyre u zgjerua me pjesëmarrjen e Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë.

Protestuesit janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ku vijojnë tubimin kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Për të katërtën ditë radhazi, studentët refuzojnë dialogun me Ramën. Para Kryeministrisë, situata paraqitet e qetë.

Në protestë janë bashkuar mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë e të tjerë puonjës të shëndetësisë nga Shqipëria dhe diaspora.

Përmes një deklarate, theksojnë se solidarizimi me të rinjtë lidhet me mbrojtjen e të drejtës për protestë paqësore, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.

Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë në Shqipëri dhe diasporë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë.

S’mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore.

Arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve.

Përfaqësuesit e këtij grupi i bënë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e situatës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike.

Kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes së përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore, me përbërje teknike.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.