Vendosni fjalën kyçe....

“Champi”, stuhia më e fuqishme e këtij viti


Pak ditë më parë, tajfuni Champi u shpall zyrtarisht stuhia më e fuqishme e këtij viti.

Të martën pasdite, ai arriti një shpejtësi maksimale të qëndrueshme të erës prej 298 km/orë, ndërsa lëvizte mbi Detin Filipin, fuqi e barasvlershme me një uragan të kategorisë 5.

Fillimisht, Champi u klasifikua si “super tajfun”, një përcaktim që përdoret kur shpejtësia e qëndrueshme e erës së një cikloni arrin të paktën 240 km/orë, shkruan BBC.

Të mërkurën, tajfuni dukej se po dobësohej teksa vijonte lëvizjen mbi det.

Megjithatë, ai mbetet i fuqishëm. Sipas autoriteteve meteorologjike të Tajvanit, rreth mesditës së të premtes, erërat e qëndrueshme pranë qendrës së tij arrinin shpejtësinë 155 km/orë.

Më shumë se 160 fluturime janë anuluar nga katër kompani ajrore japoneze.

Kompania japoneze All Nippon Airways (ANA) njoftoi se të gjitha fluturimet drejt dhe nga aeroportet Miyako dhe Ishigaki, në prefekturën jugore të Okinavës, janë anuluar për gjithë ditën.

Ndërkohë, kompania bëri të ditur se situata po ndikon edhe në operacionet në aeroportet Okhotsk Monbetsu, Okinawa Naha, Tsushima, Miyazaki dhe Kagoshima.

Në një njoftim të fundit, Japan Airlines bëri të ditur se ka anuluar fluturimet drejt aeroportit Taipei Songshan dhe Aeroportit Ndërkombëtar Taoyuan të Tajvanit.