Të dhënat me 45 personat me precedentë penalë në protestë, Berisha: Rama po manipulon shifrat e të plagosurve
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit nga kryeministri Edi Rama të dokumenteve me inicialet e 45 personave me precedentë penalë, të cilët sipas kreut të qeverisë janë përfshirë në akte dhune gjatë protestave në vend.
Në reagimin e tij, Berisha akuzoi Ramën se po merr rolin e prokurorisë, duke e cilësuar publikimin e emrave si një veprim me prapavijë politike. Kreu i PD-së ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi shifrat e të plagosurve gjatë protestave, duke pretenduar se numri i protestuesve të plagosur është shumë më i lartë nga ai i policëve.
“Edi Rama u shfaq më shumë se kurrë para shqiptarëve si një zëdhënës i prokurorisë së kohërave të shkuara”, deklaroi Berisha, duke kundërshtuar akuzat dhe mënyrën se si kryeministri paraqiti personat e përfshirë në dokumente.
Më tej, kreu i opozitës pretendoi se raporti mes protestuesve dhe efektivëve të policisë së plagosur është të paktën 15 me 1, ndërsa shtoi se numri mund të jetë edhe më i lartë, pasi sipas tij, shumë protestues shmangin paraqitjen në spitale nga frika e persekutimit.
Berisha akuzoi kryeministrin për manipulim të shifrave dhe për përdorim të deklaratave që, sipas tij, nuk pasqyrojnë atë që ka ndodhur gjatë protestave.
“E vërteta është që policët që kanë parë të plagosur numërohen me gishtat e duarve”, u shpreh Berisha, duke përmendur gjithashtu pretendime për përdorim force ndaj protestuesve, përfshirë të miturit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



