Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e të miturve në protesta, duke theksuar se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se të miturit kanë luajtur rol të rëndësishëm në momente historike, si në Shqipëri, ashtu edhe në botë.
Kryedemokrati iu referua konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit vendas, duke argumentuar se të drejtat e të miturve duhet të respektohen edhe gjatë protestave. Për të mbështetur qëndrimin e tij, lideri demokrat solli në vëmendje ngjarjet e 21 shkurtit 1991, gjatë protestave kundër regjimit komunist.
Berisha përmendi momentin kur një i mitur, rreth 13 ose 14 vjeç, rrëzoi bustin e Enver Hoxhës, duke u bërë pjesë e një prej momenteve simbolike të rënies së simboleve të regjimit komunist.
“U mor me të miturit. Harron ky se të miturit kanë bërë histori. Kanë bërë histori në Shqipëri, kanë bërë histori në botë. Se të miturit në të gjitha konventat ndërkombëtare kanë të drejtë të mbrojnë të drejtat e tyre. Dhe të miturit në protestat e tyre janë të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar dhe ligji i vendit. Të miturit, me guximin e tyre, në momente kritike, kanë parandaluar katastrofa gjakderdhjesh. Unë u tregoj shqiptarëve se me 21 shkurt të vitit 1991, kur vrasësit, hordhitë e Sigurimit të Shtetit dolën nga Ministria e Brendshme me bustin e Enver Hoxhës dhe e vendosën në piedestal, në sheshbetejë ishin qytetarët me gjokse hapur që ecnin për rrëzimin e tij. Në anën tjetër qëndronin kallashnikovët dhe skuadrat e pushkatimit të Sigurimit të Shtetit. Si në një mrekulli, ishte një i mitur, 13 ose 14-vjeçar i cili në këtë moment ndër më dramatikët të atij revolucioni shkoi dhe rrëzoi bustin, e bëri copa-copa. Kanë bërë histori të miturit, dhe po bëjnë histori. Janë vërtet në moshë të re, po guximi i tyre është i pakufishëm,” tha Berisha
