Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer nga 270 ushtarakë në kuadër të këmbimit të fundit të të burgosurve mes dy vendeve, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se ushtarakët rusë të kthyer ndodhen aktualisht në Bjellorusinë fqinje, ku komisionerja ruse për të Drejtat e Njeriut, Yana Lantratova, po u “ofron ndihmë”.
Ajo shtoi se ushtarakët do të kthehen në Rusi pasi të marrin ndihmën e nevojshme psikologjike dhe mjekësore, ndërsa më pas do të transportohen në institucionet mjekësore të Ministrisë së Mbrojtjes për trajtim dhe rehabilitim të mëtejshëm.
Ukraina ende nuk e ka konfirmuar këmbimin, megjithëse komisioneri ukrainas për të Drejtat e Njeriut, Dmytro Lubinets, tha më herët në Telegram se ishte arritur një marrëveshje për kthimin e veçantë të civilëve, përmes kontakteve të tij me Lantratovën.
“Shtatë ukrainas janë kthyer në territorin e kontrolluar nga Ukraina, ndërsa shtatë persona kanë udhëtuar drejt Federatës Ruse në kuadër të një përpjekjeje për bashkimin e familjeve, të mbështetur nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, tha Lubinets.
Edhe Lantratova konfirmoi këmbimin, duke vënë në dukje se zyrtarët rusë dhe ukrainas për të drejtat e njeriut po punojnë së bashku në Bjellorusi, ku “po zhvillohen disa misione të rëndësishme humanitare”.