Kryeministri Edi Rama akuzoi publikisht studentin 20-vjeçar Joni Sinoymeri për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, duke e paraqitur si person me precedentë penalë, në kuadër të pretendimeve për protestat studentore.
Por i riu, student në Fakultetin e Mjekësisë me mesatare 10, doli përpara kamerave për të përgënjeshtruar deklaratat e kryeministrit dhe për të treguar rezultatet e tij akademike.
“Jam student i Fakultetit të Mjekësisë. Nuk kam asnjë lloj turpi, nuk ka asnjë lloj legjendash me mbret që shpik ky. Gjithashtu, meqenëse donte të na cenonte, na ka quajtur organizata ANTIFA, neokomunista, dua të tregoj të gjitha notat që kam marrë me mesatare 10. Nuk na ndaloni dot me këto gënjeshtra”, deklaroi Sinoymeri.
Ai i cilësoi akuzat si shpifje dhe kërkoi të mësojë se ku janë bazuar pretendimet për precedentët penalë.
“Këto janë shpifje, nuk e di ku i kanë gjetur këtë informacion, të më thonë mua se qenkam me precedentë penalë, që ta di edhe unë”, u shpreh studenti.
Sinoymeri tregoi gjithashtu se të martën e kaluar ishte shoqëruar në polici pasi kishte marrë pjesë në një protestë paqësore, ku, sipas tij, ishte mbajtur për shtatë orë.
Deklarata e tij vjen pasi Rama ka përdorur fotografi dhe akuza ndaj disa të rinjve për të mbështetur pretendimet e tij për përfshirjen e elementëve kriminalë në protestat studentore.a.b





