Ish-deputeti Azgan Haklaj, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se po bashkëpunojnë për të marrë nën kontroll protestën studentore dhe për ta zhvendosur zgjidhjen politike mes tyre.
I ftuar në News24, ai ka deklaruar ndër të tjera se zgjidhja e krizës politike në vend është dorëheqja pa kushte e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike me një kod të ri zgjedhor.
“Ka një marrëveshje të qartë të Berishës me Ramën. Berisha po përpiqet të rrëmbejë protestën me mbështetjen e Ramës, që zgjidhja të jetë mes atyre të dyve”, u shpreh Haklaj.
Më tej Haklaj tha se mbështet studentët dhe qëndresën e tyre, por shtoi se në protestë janë infiltruar persona të lidhur me Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, me qëllim krijimin e incidenteve.
Ish-deputeti u bëri thirrje studentëve të mos lejojnë përfshirjen e partive politike në protestë, duke kërkuar në mënyrë të veçantë që Sali Berisha të mbahet larg lëvizjes studentore.
“Përjashtojeni Sali Berishën nga protesta, sepse po përpiqet ta marrë peng protestën me ndihmën e Ramës. Protesta është thirrur nga studentët dhe diaspora. Larg politika nga protestat! Nuk kanë nevojë për duar politike ato”, deklaroi Haklaj.













