Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka përcjellë një mesazh për rëndësinë e dialogut dhe respektimit të institucioneve, në një kohë kur në Tiranë janë zhvilluar protesta gjatë ditëve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gogu thekson se institucionet janë të hapura ndaj kritikave dhe kërkesave për llogaridhënie, por kundërshtimi duhet të shprehet përmes argumenteve dhe komunikimit, jo përmes dhunës.
“Institucionet nuk goditen, por sfidohen me argumente dhe dialog”, shprehet ministri, duke nënvizuar se pakënaqësitë duhet të shërbejnë si pikënisje për gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut.
Në postimin e tij, Gogu ka ndarë edhe një mesazh nga Leopoldo, anëtar i World Jurist Association dhe pjesë e ekipit të World Law Foundation, i cili ka qëndruar ditët e fundit në Tiranë dhe ka ndjekur nga afër protestat.
Leopoldo shprehet se i kupton kërkesat e studentëve për më shumë akses në arsim dhe mundësi më të mira punësimi, por thekson se respektimi i shtetit të së drejtës duhet të jetë pjesë e çdo forme reagimi qytetar.
“Kur kërkon diçka nga qeveria jote, duhet gjithashtu të marrësh në konsideratë që duhet ta bësh në mënyrën e duhur”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai nënvizon gjithashtu se institucionet publike, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë, janë në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, dialogu dhe komunikimi mbeten rrugët përmes të cilave duhet të shprehen pakënaqësitë dhe të kërkohen ndryshimet e nevojshme.

