Nëntë persona janë ndaluar për 48 orë në Kosovë, nën dyshimin për mashtrim përmes qendrave të paligjshme të thirrjeve (Call Center), ku pretendohet se janë mashtruar shtetas suedezë me oferta për investime në kriptomonedhën Bitcoin.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, sipas së cilës rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë. Të dyshuarit, identiteti i të cilëve është bërë publik vetëm përmes inicialeve P.R., A.P., F.Z., D.H., B.E., T.S., D.H., R.H. dhe D.M., dyshohet se kanë vepruar si grup, duke përdorur të dhëna të rreme për të bindur viktimat të investonin paratë e tyre.
Sipas hetimeve paraprake, personat e dyshuar paraqiteshin si ofrues të investimeve në kriptovaluta dhe, përmes telefonatave, i nxitnin shtetasit suedezë të kryenin veprime që dëmtonin pasurinë e tyre. Pas kryerjes së investimeve, paratë dyshohet se transferoheshin në llogari të tjera të panjohura, duke u shkaktuar viktimave dëme të konsiderueshme materiale.
Me vendim të prokurorit të shtetit, nëntë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjatë aksionit policor, dy prej të dyshuarve, R.H. dhe D.H., dyshohet se kanë sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës. Për këtë arsye, ata dyshohen edhe për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Hetimet për rastin po vijojnë, ndërsa ndaj personave të ndaluar rëndojnë dyshimet për përfshirje në skemën e mashtrimit me investime në kriptomonedha.

