Akademiku Artan Fuga ka komentuar krahasimet mes protestave të ditëve të fundit në Shqipëri dhe lëvizjeve studentore në Francë e vende të tjera të Evropës, duke i cilësuar ato si produkt të propagandës dhe keqinformimit.
Përmes një paralelizmi me vitin 1968, Fuga kujton se si propaganda e regjimit komunist barazonte lëvizjen studentore në Francë me aksionet e rinisë shqiptare për ndërtimin e hekurudhave.
“Fali budallenjtë o Zot se nuk dinë çfarë flasin”, shkruan Fuga, ndërsa argumenton se edhe sot po krahasohen lëvizje që, sipas tij, kanë kërkesa, qëllime dhe realitete të ndryshme. Ai sjell shembullin e Gradishtës dhe Parisit të vitit 1968 për të ilustruar atë që e konsideron një shtrembërim propagandistik që përsëritet edhe në ditët e sotme.
“(Nga budalliqet e historisë shqiptare)
Kur dëgjoj, lexoj, shoh sesi barazojnë lëvizjet e protestave në Tiranë dhe gjetiu me lëvizjet studentore në Francë a gjetiu nëpër Evropë, buzëqesh hidhur dhe them fali budallenjtë o Zot se nuk dinë çfarë flasin!
Tmerr është, por propaganda dhe komunikimi strategjik ndërkombëtar gjithçka e bën lëmsh! Ngatërron gjithçka, prodhon keqinformim, dezinformim dhe lloj – lloj broçkullash të tjera.
Dhe buzëqeshja më vjen si e shkrirë gazit kur më kujtohet një shembull gjashtëdhjet vjet më parë që si fëmijë e përjetova, por më pas e studjova me rrënjë.
Në vitin 1968 në Francë dhe Evropë plasi lëvizja studentore që transformoi të gjithë botën, duke krijuar botën ku jetojmë, mirë a keq.
Enveri ynë shkon në Gradishtë ku bënin aksione rinia në ndërtim hekurudhash, një hap më larg se ku kishte vatrat e kampeve për të internuar.
Mban një fjalim para studentëve që me shaje në qafë, me hov revolucionar brohorisnin dhe aprovonin fjalët e tij se studentët në Evropë po bënin revolucionin proletar aq të shumëpritur. Kurse ata po ndërtonin hekurudhat socialiste!”- shkruan Fuga.













