Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ndaj studentëve dhe protestuesve.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi e akuzoi kreun e qeverisë për përdorim të standardeve të dyfishta, duke pretenduar se ai kërkon prezumimin e pafajësisë për zyrtarët e mazhorancës që përballen me akuza, ndërsa i etiketon qytetarët që protestojnë.
“Kur nuk ke përgjigje për kërkesat e rinisë, rruga më e lehtë është baltosja dhe shpifja! Por faktet flasin vetë!”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.
Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, nëse Rama do të kishte verifikuar më mirë të kaluarën dhe integritetin e zëvendëskryeministrave, ministrave, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve, vendi nuk do të ishte në gjendjen aktuale.
Bardhi pretendon se, për të ruajtur pushtetin, kryeministri ka promovuar individë të lidhur me krimin e organizuar dhe se përdor mjete të ndryshme për të goditur ata që i konsideron kundërshtarë.
“Për Belinda Ballukun, Erion Veliajn, Mirlinda Kaçanajn, Vlora Hysenin apo Ergys Agasin, na këshillon të mos flasim dhe t’i prezumojmë të pafajshëm, ndërsa qytetarët që protestojnë kërkon t’i shpallim fajtorë pa prova dhe pa një vendim gjykate”, deklaron Bardhi.
Ai e përfundon reagimin duke akuzuar Ramën se e ka vendosur pushtetin mbi integritetin, përgjegjësinë dhe interesin e qytetarëve, duke e cilësuar këtë si një nga arsyet që, sipas tij, e kanë çuar Shqipërinë në situatën aktuale.