Një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në dy zona periferike pranë Parisit. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa autoritetet franceze po e hetojnë ngjarjen si një akt të mundshëm terrorist.
Të shtënat ndodhën të premten në mëngjes, fillimisht në Trappes, në jugperëndim të kryeqytetit francez, dhe më pas në La Verrière, një zonë pranë saj. Sipas ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, sulmi zgjati rreth 15 minuta.
Mes të plagosurve është edhe një vajzë 12-vjeçare. I dyshuari për sulmin është arrestuar, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Zyra e Prokurorit Kombëtar Antiterrorist të Francës (PNAT) deklaroi se ngjarja duket se përbën një “vrasje në lidhje me një sipërmarrje terroriste”.
Duke folur për gazetarët në Trappes, ministri Nunez tha: “Është qartë një krim terrorist, kjo është ajo që ka thënë prokurori.”
Kryetari i bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, deklaroi se një person kishte qëlluar me armë nga automjeti i tij ndaj disa njerëzve që hasi gjatë lëvizjes në zonë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e sulmit, motivin e autorit të dyshuar dhe nëse ngjarja lidhet me një veprimtari të mirëfilltë terroriste.

