Vendosni fjalën kyçe....

I dërguari i Trumpit: Jemi të përgatitur për përballje të gjatë me Iranin


SHBA-ja po përgatitet për një konflikt të zgjatur me Iranin, edhe pse administrata Trump shpreson se fushatat e bombardimeve dhe sanksionet ekonomike do ta detyrojnë Republikën Islamike të bëjë lëshime të rëndësishme, shkruan Financial Times.

Mike Waltz, ambasadori i Donald Trumpit në OKB, pranoi se edhe pas një viti SHBA-ja mund të jetë ende e zhytur në një ngërç me Iranin, pa një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit dhe pa rikthimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit në nivelet e para luftës.

“Nuk do të ngre skenarë hipotetikë. Shpresohet që ata të vijnë në tryezën e bisedimeve dhe të angazhohen seriozisht përpara kësaj”, i tha Waltz gazetës Financial Times në një intervistë.

Megjithatë, ai tha se “presidenti dhe Marina Ushtarake e SHBA-së mund ta mbajnë këtë bllokadë [ndaj porteve iraniane] për një kohë të pacaktuar në të ardhmen e parashikueshme”, ndërsa administrata po e “shtrëngon” fushatën e presionit ekonomik.

Waltz foli për Financial Times në një kohë kur Trumpi dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëritën kërcënimet për nisjen e një ofensive të re kundër Iranit pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA, më 3 nëntor.

Lufta, për të cilën Trumpi kishte thënë fillimisht se do të zgjaste “katër deri në pesë javë”, po i afrohet tashmë muajit të nëntë. Ajo ka shkaktuar çmime rekord të karburanteve, si dhe mungesa të plehrave kimike dhe të mallrave të tjera. Irani ka goditur infrastrukturën kritike energjetike në vendet e Gjirit, rajoni kryesor prodhues i naftës në botë, duke paralizuar rrugët e eksportit.

Lufta është jopopullore në mesin e publikut amerikan dhe vlerësimi i miratimit për Trumpin ka rënë në rreth 31 për qind, më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të ndërmjetme. Partia e tij Republikane rrezikon të humbasë kontrollin e Kongresit, mes pakënaqësisë së votuesve për çmimet e larta.

Në përpjekje për të ulur koston e karburanteve, këtë muaj Trumpi arriti një marrëveshje me Vladimir Putinin për të lejuar shitjen e naftës dizel ruse, pas vitesh sanksionesh. Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga udhëheqës evropianë dhe ukrainas, të cilët paralajmëruan se të ardhurat nga shitjet do t’i jepnin Moskës një burim jetik financimi për të zgjatur luftën kundër Ukrainës.

Waltz, i cili si anëtar i Kongresit në vitin 2024 kishte kërkuar që SHBA-ja të mbështeste qeverinë ukrainase, e justifikoi marrëveshjen e Trumpit si të nevojshme për të kompensuar “mungesën globale të produkteve të rafinuara”, e cila këtë vit ka goditur sektorë të ndryshëm, “nga aviacioni te fermerët”.

“Kjo po shkakton një krizë humanitare në Afrikën Lindore. Ka mungesë plehrash kimike”, tha ai.

Trumpi “po balancon nevojat e botës për energji, në këtë rast, për naftë dizel”, shtoi Waltz.

Ai la të kuptohej se paratë do të shërbenin gjithashtu si “një nxitje për rusët që të vijnë në tryezën e bisedimeve dhe të angazhohen seriozisht” për t’i dhënë fund luftës.

Demokratët dhe disa republikanë i kanë kërkuar Trumpit të përqendrohet te përfundimi i luftës me Iranin përmes një marrëveshjeje që do ta rikthente trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit në nivelet e para luftës dhe do t’i mundësonte sektorit energjetik të rajonit të rindërtohej.

Por Waltz tha se SHBA-ja nuk do t’i ketë përmbushur objektivat e saj strategjikë në këtë konflikt derisa të ketë eliminuar materialin bërthamor të Iranit të pasuruar në nivele të larta dhe të ketë arritur me Teheranin një “marrëveshje kuptimplotë për pasurimin e uraniumit brenda vendit”.

Waltz shërbeu për një periudhë të shkurtër si këshilltar i Trumpit për sigurinë kombëtare, por u shkarkua vitin e kaluar pasi përdori aplikacionin e mesazheve Signal për të diskutuar operacione të ndjeshme ushtarake në një bisedë ku, pa dashje, ishte përfshirë edhe një gazetar.

Waltz tha se, si ambasador në OKB, Trumpi e ka ngarkuar atë “të zbatojë reforma dhe ta vendosë organizatën në dietë, si të thuash”.

Në intervistën për Financial Times, ai tha se SHBA-ja ka shkurtuar financimin për agjencitë e OKB-së, në përpjekje për të imponuar reforma “të domosdoshme”. Këto përfshijnë shkurtimin e misioneve paqeruajtëse afatgjata, disa prej të cilave “kanë qëndruar aty për 30, 40, 50 vjet” ose “kushtojnë një miliard dollarë në vit” dhe “i mbajnë konfliktet të ngrira në vend”, në vend që t’i zgjidhin ato.

“Po reformojmë mënyrën se si kryhen operacionet paqeruajtëse”, tha ai, duke shtuar se Uashingtoni po kërkon t’u japë fund operacioneve paqeruajtëse në Liban, Somali dhe Saharanë Perëndimore.

“Ne mendojmë se ka ardhur koha të largohemi”, tha Waltz për Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), e cila prej dekadash nuk ka arritur të parandalojë luftërat e shumta mes Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah.

Ai shtoi se qeveria amerikane është në “konsultime aktive” me Francën, Izraelin, Libanin dhe palë të tjera për mënyrën se si mund të organizohet një mision paqeruajtës në Liban në të ardhmen.

“Por UNIFIL-i në formën e tij aktuale nuk do të vazhdojë, ose, të paktën, ne nuk besojmë se duhet të vazhdojë.”