Shtetasi italian Giorgio D’Angelo tregon se bleu në vitin 2021 një shtëpi në zonën e Manzës, Durrës, me sipërfaqe ndërtimi 132 metra katrorë dhe truall 900 metra katrorë.
Prona ishte e pajisur me certifikatë pronësie dhe, sipas tij, regjistrimi u krye pa probleme brenda dy javësh. Por kur vendosi ta shiste në vitin 2024, nisi një kalvar që e la dy vjet pa paratë e shitjes dhe pa përfunduar kalimin e pronësisë te blerësit e rinj. Edhe pse blerësit kanë marrë çelësat dhe jetojnë në banesë, ata ende nuk kanë certifikatën e pronësisë në emrin e tyre.
Ndërkohë, 40 mijë euro nga shitja kanë mbetur të bllokuara në llogarinë e noteres. Giorgio D’Angelo tregon se kjo situatë e ka lënë në një pozitë të vështirë, ndërsa kontratat e energjisë elektrike dhe ujit vazhdojnë të jenë në emrin e tij.
Noterja shpjegon se problemi lidhet me faktin nëse Giorgio D’Angelo kishte të drejtë ta blinte pronën, e cila përfshinte tokë arë, truall dhe ndërtesë. Pas shitjes së mëvonshme, Kadastra ngriti pikëpyetje për dokumentacionin, duke kërkuar, ndër të tjera, aktin e marrjes së tokës në origjinë.













